Aktualisht në grumbullim me kombëtaren franceze në “Clairefontaine”, Kylian Mbappé dha një intervistë të gjatë për “Movistar+”, që do transmetohet të dielën në mbrëmje. Media spanjolle publikoi disa fragmente, ku Mbappé flet për fenomenin e ri të Barcelonës, Lamine Yamal: “Duket se ka një pasion të madh për futbollin, kjo është gjëja e vetme që nuk mund ta humbasë.
Gjithçka tjetër ka të bëjë me jetën private, rreth të cilës për fat të keq flitet shumë. Duhet ta lëmë të qetë. Në futboll është lojtar i madh, por në jetë është ende djalosh 18-vjeçar. Në këtë moshë të gjithë bëjnë gabime, bëjnë gjëra të sakta dhe të gabuara…
Ditë pas dite do të përvetësojë përvojën e duhur dhe do të kuptojë çfarë është më mira për të. E rëndësishme është të shikojmë çfarë bën në fushë; gjithçka tjetër nuk ka rëndësi, nëse nuk është serioze. Ka shumë talent, shpresoj të ndjekë rrugën që dëshiron. I uroj fat”.
Me këto fjalë, Mbappé mbron privatësinë dhe rritjen e talentit të ri blaugrana, duke theksuar se vlerësimi i tij duhet të fokusohet kryesisht te performanca në fushë. Ylli francez tregon kësisoji maturitetin dhe respektin e tij për gjeneratat e reja të futbollit.







