Mbyllen pjesët e para të javës së fundit në PL, ja situata me 5 ekipet që garojnë për 3 bileta për në Champions League

25 Maj 2025
17:49
Telesport
back button

Sot luhet java e 38-të dhe e fundit për këtë sezon në Premier League. Duke qenë se çështja e titullit është e mbyllur prej javësh, sot vëmendja do jetë te gara për zonën e Champions League.

Premier League do të dërgojë 6 ekipe sezonin e ri në Champions League, 5 vendet e para dhe Tottenham që shkon automatikisht si fituesi i Europa League. Pas Liverpool-it kampion dhe Arsenalit të vendit të dytë, janë 5 ekipe në garë për 3 biletat e mbetura për Champions-in.

Vëmendja kryesore sot është në “City Ground” në Nottingham, aty ku vendasit e drejtuar nga Nuno Santos përballen me Chelsea-n, për një biletë për në Champions. Pjesa e parë është mbyllur 0-0.

Në Londër, në “Craven Cottage”, Manchester City po fiton 0-1 ndaj Fulham me golin e Gundogan në minutën e 21′, i cili shënoi një gol shumë të bukur pas një veprimi akrobatik. Në “Old Trafford”, Manchester United-Aston Villa, pjesa e parë mbyllet në barazim pa gola. Miqtë janë me një lojtar më pak, pasi në fund të pjesës së parë Emiliano Martinez doli me karton të kuq, për faull ndaj Rasmus Hojlund, i cili ishte lojtari i fundit. Me të njëjtin rezultat është mbyllur edhe sfida në “St. James’ Park”, Newcastle-Everton 0-0.

Me rezultatet e pjesës së parë shkojnë në Champions, përveç Liverpool dhe Arsenal, Man. City, Newcastle dhe Chelsea. Aston Villa shkon në Europa League, Nottingham Forest në Conference League.

Në “Anfield”, Crystal Palace ka surprizuar Liverpool-in duke e kaluar në avantazh me Ismaïla Sarr në minutën e 9-të, ndërkohë që Arsenal po fiton 0-1 në transfertë ndaj Southampton me golin e Kieran Tierney.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit