“McKennie më flet vetëm mirë për Allegrin, mezi po pres ta njoh”

13 Qershor 2025
7:36
Alfred Lleshi
back button

Christian Pulisic, sulmuesi i Milanit, ka folur për “CBS Sport Golazo”: “Që në ditët e fundit te Chelsea ndihesha i sigurt dhe gati për hapin tim të radhës. Mbërrita në një klub që më dha shumë besim. Jam ndjerë mirë që në fillim te Milani. Ndihem që po rritem në vetëbesim dhe në të gjitha aspektet e lojës sime, kjo më ka çuar aty ku jam sot”.

Sa e vështirë ka qenë të përjetosh një sezon me kaq shumë ulje-ngritje për ekipin, por duke u dalluar personalisht me gola dhe asiste?
Nga ana mendore dhe fizike është gjithmonë e vështirë. Me numrin e ndeshjeve që luajmë dhe pastaj gjithçka që ndodhi këtë sezon te Milani… Mendoj se është e vështirë për njerëzit nga jashtë ta kuptojnë. Ka shumë presion mbi ne, sidomos në një klub si Milani, kur gjërat nuk shkojnë si duhet. Pritet që të fitojmë ndeshje, trofe… dhe kur gjërat nuk ecin sipas pritshmërive, bëhet e vështirë. Të luajturit për një klub si Milani më jep akoma më shumë dëshirë ta rikthej ekipin aty ku e ka vendin. Këtë sezon ndodhën pak nga të gjitha, por jam gati dhe optimist për të ardhmen.

Në SHBA të gjithë pyesin pse këtë verë nuk do të jesh me kombëtaren, pas një sezoni kaq të mirë…
Më vjen keq që nuk jam me ekipin, dua gjithmonë të jem në dispozicion. Sidoqoftë, nga fundi i sezonit, trupi im filloi të më ‘fliste’ dhe e pyeta veten: Cila është gjëja më e mirë për mua, që të jem gati për sezonin e ardhshëm, i cili do të mbyllet me Botërorin në SHBA? Të luaja edhe ndeshje të tjera, pastaj direkt në fazë përgatitore dhe një rrugë e gjatë deri në Botëror…? Nuk më dukej opsioni më i mirë për trupin tim. Do të më kishte pëlqyer të isha të paktën për dy miqësoret, por trajnerët e kombëtares më thanë që donin një grup unik për miqësoret dhe ‘Gold Cup’. E respektoj plotësisht vendimin e tyre, edhe pse nuk e kuptoj tërësisht. Kështu ndodhi dhe duhej të merrja vendimin më të mirë për veten time dhe, në afatgjatë, edhe për ekipin tim. Edhe pse dikush (e ka fjalën për Donovan, i cili e kritikoi ashpër për zgjedhjen) nuk e sheh kështu.

Pas gjithë kritikave që ke marrë për këtë vendim, a je penduar apo ende mendon se ishte zgjedhja e duhur?
Nuk jam penduar për vendimin tim, mendoj se për mënyrën si ndihem tani ishte zgjedhja më e mirë. Këtë javë filloj stërvitjen dhe mezi po pres, dua të punoj për veten time dhe e di që kjo do të më vendosë në pozitën më të mirë të mundshme kur të nisë sezoni i ardhshëm.

Si ndihesh tani?
Do të jem në formë të shkëlqyer kur të nisë sezoni i ardhshëm. Do të shihni sa dëshirë kam, më shumë se kurrë.

Kur je me pushime si tani, a shkëputesh krejtësisht nga futbolli apo vazhdon të ndjekësh ndeshje?
Fizikisht jam në ‘pauzë’, por mendërisht jam tifozi i parë i kombëtares, gjithmonë i ndjek ndeshjet e shokëve të mi me SHBA-në.

Te Milani do të gjesh një trajner të ri, Massimiliano Allegri, që ka drejtuar më parë Juventusin. A të ka folur ndonjë shok i kombëtares për të?
Kam folur kohët e fundit me Weston (McKennie). Ai më tha vetëm gjëra pozitive. Më tha që është një njeri argëtues, që i pëlqen të bëjë shaka, një tip me temperament… I thashë: Si gjithë italianët, apo jo? (qesh) Mezi pres ta njoh atë dhe stafin e tij, mendoj se është zgjedhja e duhur për Milanin.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit