Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, doli sot para mediave në një konferencë për shtyp, ku foli për shumë gjëra, mes tyre edhe për fatin e trajnerit të kombëtares. I pyetur nëse do të vazhdohet me Sylvinho apo me ndonjë trajner tjetër kuqezi, Duka u shpreh: “Ne prisnim më shumë, meritonim më shumë, për atë që dhamë më fushë në Poloni.
Në tërësi ka qenë një edicion kualifikues pozitiv, por ka pasur edhe ndeshje që nuk kanë qenë në pritshmëritë tona. Që në fillim, objektivi ynë ka qenë vendi i dytë në grup. Të dyja fushatat kualifikuese me Sylvinho kanë qenë më të mirat në histori, vendi i parë në grup në kualifikueset e Europianit dhe vendi i dytë në kualifikueset e Botërorit.
Unë kam biseduar me Sylvinho, direkt pas ndeshjes miqësore me Ukrainën. E kam pyetur si e ndjen veten, e udhëheq dot më këtë ekip apo jo? Trajneri m’u përgjigj: Si e mendon ti? Në këndvështrimin tim ke energji akoma, i thashë. Ai do marrë kohë për ta menduar dhe më dhënë përgjigje. Ne do t’i ofrojmë një kontratë të re.
Sigurisht, do të vendosim para ndeshjeve të qershorit nëse do të vazhdojmë me Sylvinho apo me një trajner tjetër. Mbase kontrata duhej të ishte deri në mars, në fund të ‘play-off’, por ne kishim rënë dakord që në nëntor dhe padyshim mund të kishte qenë ndryshe. Nuk mund të bënim kontratë deri në mars sepse do ishte demotivuese për skuadrën.
I jepnim mesazh që nuk shkojmë në Botëror, ndaj kontrata e trajnerit është deri pasi të përfundojë Botërori. Diferencat janë shumë të vogla dhe përgatitja psikologjike e besimi te fitorja është ndër gjërat më të rëndësishme. E para është të bindësh veten që mund të arrijmë dhe pastaj ta çojmë te të tjerët.
Ideja për një trajner shqiptar? Kam menduar një herë për t’ia besuar stolin e ekipit përfaqësues një trajneri shqiptar, Besnik Hasit, por në fund, përpara se të firmosnim, Besniku u tërhoq. Hasi në Tiranë? Të jem i sinqertë, nuk e di. Kam takuar disa ish-futbollistë këto ditë, por Besnikun jo. Pa e mbyllur me Sylvinhon nuk mund të vazhdojmë më tej. Edhe pse ka refuzuar një herë, sigurisht që mbetet opsion Hasi. Kjo nuk është ‘martesë’, por profesionalizëm”.
Trajneri Sylvinho duket se i ka më për zemër disa lojtarë kuqezinj, që menbaxhohen nga e njëjta kompani si vetë trajneri kuqezi? Ky debat është intensifikuar shumë pas humbjes në Poloni, kur lojtarë pa minutazh në klubet e tyre luajtën titullarë. Duka “driblon” në përgjigje: “Shiko, këto janë gjëra që nuk ndodhin për herë të parë te ne. Janë diskutime që bëhen rëndom. Ne duhet të shohim vendimet, jo paragjykimet. Unë kam vlerësim pozitiv për trajnerin. E përjashtoj plotësisht akuzën për klientelizëm. Selektimet e tij kanë qenë subjektive. Unë mendoj se të gjithë që jemi këtu nuk do të ndryshonim më shumë se 5 për qind të gjithë futbollistëve”.







