Mes tripletës sezonale dhe “zero tituli”, dilema e zgjedhjes ngërthen Interin

22 Prill 2025
8:39
Alfred Lleshi
back button

Duke perifrazuar një slogan tashmë të famshëm, Interi i sotëm më shumë se kurrë po kalamendet mes ëndrrave dhe realitetit të fortë. Pas humbjes në Bologna, është e vërtetë që titulli kampion nuk konsiderohet aspak i humbur, por në fakt është vënë në diskutim.

Avantazhi i vogël në krye të Serie A është konsumuar aq shumë saqë, nëse kampionati do të përfundonte sot, do të nevojitej një ndeshje shtesë kundër Napolit. Në Champions League sigurisht niset nga 0-0 ndaj Barcelonës; edhe në Kupën e Italisë gjithçka është e hapur, pasi ndeshja e parë gjysmëfinale me Milanin ka përfunduar 1-1.

Në horizont parashikohen 8 ndeshje, të cilat mund të bëhen 11 nëse arrihet finalja e kupës, përfshihet edhe skenari i pabesueshëm i ndeshjes shtesë. Në mendjet e shumë tifozëve interistë nuk ka më kohë për të pritur. Lodhja e grupit është tepër e dukshme, ka ardhur momenti për të zgjedhur, për të sakrifikuar këtë apo atë garë, në mënyrë që të mos humbiten të gjitha, por të ngrihet të paktën një trofe.

Kundër kësaj qasjeje janë tifozët që ushqejnë ëndrrën e tripletës sezonale, të cilët janë të gatshëm të pranojnë rrezikun e “zero tituli”, me vetëdijen se kanë përjetuar një sezon në nivel shumë të lartë, sido që të shkojë.

Është e vështirë të thuash kush ka të drejtë, secili ka arsyet e tij për të anuar nga njëra apo tjetra zgjedhje. Është diçka që shkon përtej sportit, që tregon se si e sheh njeriu gotën, gjysmë bosh apo gjysmë plot, edhe në jetën e përditshme. Një prirje ëndërrimtare ndaj përsosmërisë apo realizmi që përqafon konkretësinë e pastër. Një dikotomi që, ndoshta, ka lindur që me qenien njerëzore.

Sidoqoftë, një gjë duam ta themi, sepse mund të ndikojë në të ardhmen e Interit si shoqëri në nivel perceptimi global. Të vazhdosh të luftosh në çdo kompeticion, pra të mos zgjedhësh, është një cilësi e skuadrave të mëdha, si Real Madridi apo Bayern Munich, që e dinë mirë se në 10 sezone, së paku 6-7 herë gjenden në të tilla situata, por në fund gjithmonë arrijnë të fitojnë diçka të madhe.

Pa përmendur përfitimin ekonomik dhe atë të imazhit, diçka që futbolli italian ka qenë i detyruar ta lërë në plan të dytë prej vitesh, për shkak të kapaciteteve të ndryshme të investimit krahasuar me klubet e mëdha europiane.

Nëse, përkundrazi, një sezon i tillë do të mbetet pothuajse i papërsëritshëm, atëherë pa një fitore në kampionat apo në Champions League, rrezikon që pas 20 vitesh të tretet mes shumë të tjerëve në historinë e lavdishme zikaltër, me shumë tifozë që ndoshta do të kujtojnë më tepër sezonin e kaluar, atë të titullit të yllit të dytë, apo ato të sukseseve në Kupën e Italisë dhe Superkupën.

Në atë pikë, moszgjedhja për t’u investuar më shumë, për shembull, te kampionati, duke kujtuar se garancia për të fituar nuk ekziston kurrë në futboll dhe kjo është e qartë, do të bëhej keqardhje, apo ndoshta pendesë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit