Pedja Mijatoviç, ish-lojtar i Real Madridit (1996–1999) dhe ish-drejtor sportiv (2006–2009), foli në “El Larguero” për rinovimin e Vinicius. Sipas “The Athletic”, braziliani mund t’i ketë thënë Pérezit se “nuk do të rinovojë nëse situata me Xabi Alonson mbetet e njëjtë, pasi marrëdhënia mes tyre nuk është optimale”.
Mijatoviç reagoi ashpër: “Një lojtar, pavarësisht rëndësisë, kurrë nuk mund t’i kërkojë klubit që nuk do këtë trajner, sepse futbolli është sport kolektiv. Gjëra të tilla nuk lejohen. Do t’i kuptoja kërkesat e Vinicius po të shënonte 3 gola në çdo ndeshje, por nuk është kështu”. Mesazhi i tij ishte i qartë: “Reali nuk mund ta tolerojë këtë. Nëse nuk je i lumtur, s’ka problem, askush nuk të ka lidhur këtu”.
Ai kërkoi më shumë durim për Xabi Alonson: “Është e çuditshme të shkojë gjithçka perfekt në vitin e parë, i duhet kohë”. Sipas tij, Alonso nuk ka humbur kontrollin e dhomës së zhveshjes, ndryshe nga Ancelotti një sezon më parë.







