Gerry Cardinale rikthehet pranë Milanit. Sipas “Gazzetta dello Sport”, presidenti i “RedBird Capital Partners” dhe pronari i klubit kuqezi pritet në tribunë për derbin e së dielës ndaj Interit. Sinjal i qartë për rritjen e pranisë së tij fizike pranë kuqezinjve. Kjo do të jetë vizita e tretë në më pak se 50 ditë, pas atyre në janar dhe mes shkurtit, por planet e tij janë më të gjera.
Dosje të nxehta – Prioritet mbetet çështja e stadiumit, me Milanin dhe Interin që duhet të vendosin për projektin e besuar studiove ndërkombëtare “Manica” dhe “Foster + Partners”. Po ashtu avancon ideja “NBA Europe”. Cardinale synon të regjistrojë një franshizë me emrin dhe ngjyrat e Milanit në ligën e re europiane të basketbollit nga NBA, e planifikuar për vjeshtën 2027.
Goditje globale – “Paramount Global”, ku “RedBird” merr pjesë, ka mbyllur një marrëveshje historike prej 94 miliardë eurosh për blerjen e “Warner Bros Discovery”, duke mposhtur “Netflix”. Operacioni pritet të finalizohet në gjysmën e dytë të vitit 2026. Një fitore në derbi do të ishte mënyra ideale për t’i festuar sukseset sportive dhe financiare.







