Henrikh Mkhitaryan foli për finalen e humbur të Champions-it kundër PSG-së, në Mynih: “Pas eliminimit të Bayernit dhe Barcelonës me 4 ndeshje fantastike, menduam se do të fitonim edhe ndaj PSG-së. Në fakt rezultoi se ishte gjithçka e gabuar, nga mëngjesi deri në fund”. Armeni e quajti këtë rrugëtim “traumë dhe njëkohësisht krenari”, sepse “nuk arrin në finale pa bërë asgjë. Jam krenar, por në tri javë humbëm tre trofe. Kështu është futbolli”.
Për Inzaghi, që u largua pas finales së Champions-it, tha: “Kam jetuar vite të mrekullueshme me të. Më dha një rini të dytë, më bëri të ndihem i rëndësishëm. Është trajner, baba dhe mik. Për Interin ka qenë i pazëvendësueshëm”.
Për Chivu shtoi: “E kuptoj pse luaj më pak, sepse jam gati 37 vjeç. Ai do të mësojë shumë, ka një të ardhme të madhe si trajner. Unë jam gati ta ndihmoj edhe me një ndeshje në javë”. Mkhitaryan përmendi edhe Mino Raiolën: “Nuk ishte vetëm agjent, por si baba. Më pyeti: Do para apo futboll? Unë zgjodha futbollin. Ai më ndihmoi gjithmonë dhe ishte i besueshëm”.







