E ardhmja mund të presë. Ata që presin të mësojnë nëse Luka Modric do të luajë edhe një vit për Milan apo nëse do t’i thotë lamtumirë futbollit, do të duhet të presin edhe pak. Kampioni kroat dha një intervistë në të cilën preku shumë tema. Mbi të gjitha, karrierën e tij, por pa bërë ndonjë zbulim të paharrueshëm.
“Jam i përqendruar ekskluzivisht në Botëror sepse dua ta ndihmoj ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme“, shpjegoi kapiteni, i cili do të arrijë numrin rekord prej 200 paraqitjesh për ekipin kombëtar gjatë Kupës së Botës (aktualisht është në 198). Megjithatë, numrat personalë nuk janë të rëndësishëm për të, vetëm rezultatet e arritura kanë rëndësi.
Kroacia vjen nga një vend i dytë në Rusi 2018 dhe një vend i tretë në Katar 2022, dhe ata ende synojnë lart. “Forca më e madhe e Kroacisë në Kupat e Botës së fundit ka qenë gjithmonë uniteti dhe duhet të jetë e njëjta gjë edhe këtë herë”, tha mesfushori kroat.
“Ne nuk jemi këtu thjesht për të marrë pjesë, për të qenë shtesa. Kur grupi është i bashkuar, mund të konkurrojmë me këdo. Ne lojtarët më me përvojë duhet t’u japim një dorë të rinjve, t’i ndihmojmë ata të rriten dhe të përcjellim përvojën, cilësinë dhe karakterin tonë”, shtoi Modric.
“Të rinjtë duhet të ndihen të lirë të shfaqin talentin e tyre, dhe ne duhet t’i mbështesim ata. Ka një ndërrim brezash në proces, por ne duam të vazhdojmë të fitojmë dhe të performojmë mirë, siç kemi bërë në dy Kupat e Botës së fundit“, deklaroi Modric.
Për ndeshjen e parë ndaj Anglisë, ai tha: “Janë favoritët në grup. Ne i respektojmë të gjithë por nuk kemi frikë nga askush. Tani varet nga ne ta provojmë këtë në fushë. Ne duam t’i bëjmë të gjithë kroatët krenarë.”







