Xavi Hernández ka qenë një nga mbështetësit e topit të Botërorit 2026. “Trionda” u prezantua në qytetin e Nju Jorkut të enjten në mbrëmje. Ish-lojtari i Barcelonës ishte aty së bashku me Cafú, Del Piero, Klinsmann dhe Zinedine Zidane, të gjithë kampionë bote, të zgjedhur për ta prezantuar topin përballë “skyline”-it më të famshëm në botë.
Gjatë muajve qershor dhe korrik, futbolli do të jetë protagonist përsëri. E gjithë bota do të jetë e fokusuar tek ajo që do të ndodhë në Meksikë, Kanada dhe SHBA. Xavi e di mirë çfarë do të thotë të ngresh Kupën e Botës: “Janë kujtime të paharrueshme ato të Botërorit. Ishte hera e parë që Spanja e fitonte Botërorin…, imagjinojeni lumturinë”.
Çfarë do të thonë për ju ato kujtime kur afrohet një ngjarje e madhe si Botërori i ardhshëm?
Të gjitha kujtimet janë të mrekullueshme, të jashtëzakonshme për atë që kemi përjetuar. Topi i këtij Botërori përfaqëson tri vendet organizatore: Meksikë, Kanada dhe SHBA. Duket shumë i mirë për t’u shijuar gjatë turneut.
A do të donit të luanit përsëri në Botëror?
Sigurisht që do. Do ta luaja gjithmonë, por fizikisht nuk është më e mundur. Nuk mund të ankohem. Kam luajtur në 4 Botërorë dhe kam fituar një. Kjo mbetet përgjithmonë.
Flitet shumë nëse kalendari i ndihmon lojtarët të arrijnë në formë për Botërorin…
Kalendari është i vështirë, ka shumë ndeshje dhe gara, por Botërori është mbi gjithçka. Edhe nëse mbërrin i lodhur, aty çlodhesh dhe do të luash, gjithsesi.
A shijohet Botërori edhe nga jashtë?
Jam i lidhur me futbollin 24 orë në ditë. Sigurisht që po, shijohet edhe nga jashtë, mund ta thotë gruaja ime. Nuk ndjek gjithçka, por në Europë jam i përqendruar te pothuajse gjithçka.
Çfarë mund të bëjë Spanja në Botërorin 2026?
E shoh favorite, një nga favoritet. Ka treguar që mund dhe di të konkurrojë. Është fitues të Europianit. Për mua, së bashku me Argjentinën, janë favoritët kryesorë.
![]()
Ju i dhatë mundësinë e debutimit Lamine Yamalit. A e mbani mend? A prisnit që do të bëhej ai që është sot?
Jam shumë krenar për atë që po bën Lamine dhe që ia dhashë mundësinë të debutonte. E pashë shumë të përgatitur, edhe pse ishte 15 vjeç. I sigurt në vetvete, me shumë aftësi, duke bërë diferencën në stërvitje. Nuk kishte frikë nga asgjë. Që nga dita e parë bënte diferencën. Për mua është një nga të zgjedhurit dhe mund të lërë gjurmë në futbollin botëror. Nuk ka komplekse, as frikë.
A e meritonte “Topin e Artë” këtë herë?
Këtë herë kanë peshuar më shumë titujt kolektivë. Për mua, sigurisht që e meritonte. Edhe Vitinha, Salah, Pedri dhe Raphinha…, ishin shumë që e meritonin, por titujt peshojnë më shumë. Lamine do ta fitojë, jam i bindur, kur ekipi i tij të fitojë Champions-in ose Botërorin.
A e prisnit këtë shpërthim të tij kur i dhatë shansin e debutimit?
Po, pa dyshim. E diskutuam në staf. Thonim se ishte për “Topin e Artë”. Duke e parë në stërvitje, shikoje menjëherë që ishte talent i madh.
Si është futbolli juaj, a ka ndryshuar krahasuar me kohën te Barcelona?
Bazohet te posedimi, presioni, pozicioni dhe perceptimi i vendndodhjes së të gjithë shokëve të skuadrës. Duhet të kuptosh lojën, por gjithçka me pasion. Giuliano dhe Gavi janë shembuj të pasionit që duhet të kesh.
Busquets po tërhiqet…
Mbrojtësi më i mirë defensiv që kam parë. Ishte një master i vazhdueshëm. I jepte kuptim gjithçkaje. Konkurronte mirë, i zgjuar, fitues i dueleve. Gjithmonë i pozicionuar mirë. Referenca e rolit të tij.
Në kohën tuaj si lojtar, kush ju kërkoi?
Milani. Bisedova me Gallianin, erdhi në Barcelonë. Sapo kisha fituar Botërorin U-20 të Nigerisë. Pastaj erdhën Bayerni dhe Interi. Më kritikuan dhe pati momente të vështira, por zemra ime gjithmonë ishte te Barcelona.
Trajnerët spanjollë janë në modë, me Luis Enriquen kryesues, apo jo?
Një trajner shumë i nivelit të lartë, bëri punë të madhe te Barcelona. Fitova tripletën me të dhe duke luajtur shumë mirë. Trajner kërkues, obsesion i punës, që të nxjerr më të mirën, të motivon. Një nga më të mirët e dhjetëvjeçarit të fundit.







