Edhe pse është përfolur prej javësh se blerja e parë e Arsenal do të jetë mesfushori spanjoll Martin Zubimendi, ende ardhja e tij në Londër nuk ka ndodhur. “Topçinjtë” thuhet se kanë aktivizuar klauzolën e lirimit prej 65 milion eurosh.
Edhe pse lëvizja ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, zyrtarët e klubit të Londrës janë të bindur se marrëveshja është e përfunduar. Siç raportohet nga “The Athletic”, Arsenal është i bindur se çdo pengesë e minutës së fundit në negociata mund të shmanget.
Kishte zëra se Real Madrid mund të ndërhynte për Zubimendi, por i njëjti burim sqaron se 15 herë kampionët evropianë e pëlqejnë lojtarin, por nuk e kanë ndjekur apo punuar në mënyrë aktive për ta rekrutuar atë.
Skuadra e Real Sociedad, që ka ende kartonin e mesfushorit, ka shprehur preferencën që marrëveshja të ratifikohet në korrik për arsye kontabiliteti. Që do të thotë se Zubimendi do të jetë ende i lirë të bashkohet me Arsenal për fazën përgatitore.







