Nga goli në derbin e titullit më 22 prill 2024 deri tek ai i barazimit mbrëmjen e së martës, më 6 maj 2025, kundër Barcelonës. Francesco Acerbi nuk shënon shpesh, por kur e bën, zgjedh momente që peshojnë shumë.
Një njeri që në jetën e tij ka treguar gjithmonë se nuk pranon të dorëzohet. Edhe para se ta bënte këtë në fushë, ai fitoi betejën më të rëndësishme në korrik të vitit 2013, kundër një tumori në testikuj.
Pasi e mposhti sëmundjen, mbrojtësi tregoi historinë e tij në një libër, ku mesazhi ishte i qartë: kurrë mos u dorëzo, edhe kur duket se nuk ka më shpresë. Dhe çfarë momenti mund të ishte më kritik se një gjysmëfinale kthimi në Champions League, ndoshta e fundit në karrierë, një minutë larg eliminimit, pas 180 minutash lufte të barabartë kundër një Barcelone plot yje?
Në ndeshjen e parë, bota u magjeps nga talenti i një 17-vjeçari si Lamine Yamal. Të martën mbrëma, skenën e mori një “djalosh” 37-vjeçar, që vendosi të shënonte golin e tij të parë ndonjëherë në Champions…, një minutë para fundit dhe eliminimit.
Nga ylli i dytë te Barcelona
Zakonin për të shënuar gola vendimtarë, Acerbi e ka që më herët. Vetëm një vit më parë, ai hapi rezultatin në fitoren kundër Milanit, që i dha Interit titullin e 20-të në Serie A, atë të yllit të dytë në fanellë. Shënoi pikërisht ndaj atij Milani, që dikur ishte klubi i tij, por që më pas e humbi për shkak të një jete larg profesionalizmit.
Pas asaj periudhe të dështuar në një klub të madh, nisi rikthimi te Sassuolo, ku ndërtoi nga e para besimin dhe karrierën. Pas 5 viteve si protagonist në Reggio Emilia, erdhi thirrja nga Lazio. Pikërisht në Romë ndodhi takimi që do t’i ndryshonte jetën; ai me Simone Inzaghin.
Trajneri nga Piacenza ishte i vetmi që besoi gjithmonë te mbrojtësi nga Vizzolo Predabissi. Kur Interi, pa buxhet, kërkonte një qendërmbrojtës për të plotësuar repartin, Simone nuk pati dyshime, zgjodhi pikërisht Acerbin. Një emër që në fillim nuk u mirëprit as nga klubi dhe as nga tifozët. Por sot, pas tri vitesh në nivele të larta, gjithçka është përmbysur.
E ardhmja në pikëpyetje
E ardhmja e tij mbetet e pasigurt. Për shkak të moshës dhe kontratës që i skadon në fund të sezonit, dukej se rrugët e Acerbit dhe Interit do të ndaheshin. Mirëpo, pas kësaj nate madhështore në Champions (dhe muajve të fundit në formë të jashtëzakonshme), rinovimi nuk është më i përjashtuar.
Disa javë më parë, pas eliminimit të Bayernit, disa tifozë e ndalën në trafik afër stadiumit. “Je i madh, duhet të të klonojnë”, – i thanë. Sot, çdo gjykim është përmbysur. Fitorja është e tyre. Jo, në fakt është e atij, Francesco Acerbit.







