Lidhja mes Ricardo Kaká dhe Milanit nuk është prishur kurrë. Braziliani, në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, rikujtoi disa etapa të karrierës dhe ndikimin e Milanit pas tërheqjes nga futbolli:
“Kam pasur mjeshtra të mirë jete; Berlusconi, Galliani, Braida, Leonardo, pa harruar Florentino Pérez në Madrid. Si lojtar vëzhgoja mënyrën e tyre të punës. Sot merrem me marketing sportiv dhe do të shohim çfarë do të ndodhë në vitet e ardhshme. Milani? Marrëdhënia me këtë klub ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e veçantë për mua”.
Ai foli edhe për futbollin italian dhe magjinë e derbeve: “Futbolli italian është ende konkurrues, por niveli nuk është më si dikur. Dikur ishte liga më e rëndësishme në botë, tani është Premier League”.
Për Luka Modric: “Ai është një forcë e natyrës. Është kënaqësi të shohësh atë që po bën sa i përket entuziazmit, lidershipit dhe sigurisht, teknikës së tij. Kam luajtur me të në Madrid dhe e di çfarë mentaliteti ka. Është njerëzore të humbasësh pak motivimin kur i ke fituar tashmë të gjitha. Por ai është i çmendur.
Luka ende dëshiron t’i ndajë njohuritë e tij, i telefonon shokët e skuadrës, është gjithmonë gati për të luftuar. Ka energji dhe personalitet. Kontributi i tij te Milani është i rëndësishëm si në ndeshje, ashtu edhe në stërvitje. Besoj se prania e tij është e mirë për të gjithë futbollin italian”.
Kaka gjithashtu beson se Modric do të jetë ndër lojtarët kryesorë në derbin e ardhshëm kundër Interit: “Pa dyshim. Ai do të bëjë diferencën me përvojën e tij, por edhe me klas. Më pëlqen shumë edhe Pulisic dhe është gjithmonë aty edhe Leao”.
Sa iu përket sfidave që e kanë shënjuar, “derbi i Milanos është nga ndeshjet më të bukura për t’u luajtur dhe parë. Krahasimi me derbin e Madridit është i vështirë; gjithë qyteti flet para, gjatë dhe pas ndeshjes. Nëse fiton, je mbret; nëse humb e ndjen peshën për ditë të tëra”.
Ai ruan lidhje të forta edhe me ish-shokët: “Takova Maldinin në Dubai për Vitin e Ri, ndjek Gattuson me kombëtaren, flas me Pirlo, Sheva dhe Seedorf”.







