“Një nga më të mirët në qarkullim”, Klopp “thumbon” rivalët: Po të kishin pasur pak durim…

10 Maj 2024
15:55
Denis Hakanaj
back button

Jurgen Klopp ka thumbuar Arsenal-in duke vlerësuar punën e jashtëzakonshme të bërë nga Unai Emery në drejtim të Aston Villa-s.

Emery, të cilin Arsenal-i e shkarkoi në nëntor të 2019-ës pas 18 muajsh në drejtim, ka transformuar Aston Villa-n pasi mori drejtimin e klubit nga Steven Gerrard në tetor 2022. Megjithatë, spanjolli nuk pati sukses në drejtim të Topçinjve.

Villa është në kontroll të fatit të vet në garën për vendin e katërt të renditjes së Premier League me një avantazh prej shtatë pikësh ndaj vendit të pestë të Tottenham-it, por Spurs kanë një ndeshje më pak.

“Është një nga trajnerët më të mirë në qarkullim”, ka thënë Klopp.

“Disa klube nuk ishin të gatshëm të prisnin, por duke parë mbrapa, ndoshta këto klube do të kishin marrë vendime të tjera. E njoh prej një kohe të gjatë. Ai ka pasur gjithmonë ide të qarta. Ka fituar shumë me Sevilla-n.

“Ai i organizon skuadrat e tija shumë mirë. Puna që po bën është absolutisht e shkëlqyer. Të gjithë e dimë sa e vështirë është të kualifikohesh për Champions League dhe fakti që ka shumë mundësi ta realizojë këtë është i jashtëzakonshëm”.

Me Klopp që po përgatitet të përballet me Aston Villa e Emry në ndeshjen e parafundit të aventurës së tij në drejtim të Liverpool-it, respekti reciprok mes të dyve është i qartë. Dy ekipet do të përballen të hënën pasdite në Villa Park.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit