Duke folur në konferencë për shtyp pas fitores ndaj Hellas Verona, zëvendëstrajneri i Interit, Massimiliano Farris, zgjodhi të mos përgjigjej për deklaratat e Antonio Contes mbi atë se kush bën historinë: “Deklaratat e trajnerëve të tjerë nuk i komentoj, nuk më takon mua. Aktualisht nuk varet më nga ne, detyra jonë është të provojmë t’i fitojmë të gjitha ndeshjet, në mënyrë që të mos kemi asnjë pendesë nëse Napoli do të ndalojë”.
Gjatë përballjes me gazetarët, Farris u përgjigj edhe ndaj atyre që thonë se sezoni i zikaltërve, me titullin kampion tashmë drejt Napolit, do të ishte negativ edhe nëse fitonin Ligën e Kampionëve: “Nuk e di nëse dikush e ka thënë vërtet, por do të qeshja. Mjafton të hapësh listën e skuadrave që kanë fituar Champions-in…
Nuk besoj se e kanë thënë edhe këtë. Dëshira jonë është thjesht të mund të themi se kemi bërë një sezon të madh, me ëndrrën për të fituar një trofe. Tani duket absurde, por kemi më shumë mundësi në Champions. Shpresojmë ta mbajmë gjallë këtë ëndërr”.
Po çfarë ka thënë Conte: “Kam fituar dhe humbur tituj në javën e fundit. Kush fiton, shkruan historinë, të tjerët vetëm e lexojnë. Askush nuk do të na kujtojë nëse dalim të dytët, historia shkruhet duke fituar”. Sa i përket pohimit se sezoni i Interit do të ishte negativ edhe me Champions-in të fituar, kjo është thënë ditët e fundit nga Antonio Cassano.
Duhet përmendur fakti se Interi luajti me 10 ndryshime në formacionin startues të djeshëm, krahasuar me ndeshjen ndaj Barcelonës, teksa e mundi pa shumë mund Hellas Verona (1-0) dhe mbeti 3 pikë larg Napolit. Në stol ndodhej Farris për shkak të pezullimit të Inzaghit.
Kjo ndeshje u vendos nga penalltia e kthyer në gol nga Kristjan Asllani (nota 7), pas një prekjeje me dorë nga Valentini (nota 5). Zikaltërit e kontrolluan të gjithë ndeshjen, me pak raste të rrezikshme, teksa Verona nuk rrezikoi thuajse asnjëherë.
Tani mendja e Interit është te ndeshja e kthimit ndaj Barcelonës, e cila në të njëjtën kohë ka mposhtur Valladolidin në La Liga. Fjalët e Massimiliano Farris për supersfiën e kthimit ndaj katalanasve: “Çfarë na mësoi ndeshja e parë ndaj Barcelonës? Që është e fortë…, por këtë e dinim. Ndeshja ishte ashtu siç e kishim përgatitur.
Pastaj mund të diskutojmë nëse në disa momente mund të reagonim më mirë, nëse mund ta kufizonim më shumë Lamine Yamal. Ai bëri një ndeshje të jashtëzakonshme, por ndoshta mund t’i kishim hequr ndonjë metër. Gjithsesi, ai është shumë i aftë për t’i shmangur edhe markimet e dubluara. Sidoqoftë, jemi krenarë. Ëndrra është t’i japim popullit tonë një tjetër kënaqësi.
Lautaro dhe Pavard? Të dy janë në dyshim për momentin. Fatkeqësisht, edhe pse nuk ka dëmtim, Lautaro ende nuk është stërvitur. Sot do të thoja më shumë ‘jo’ sesa ‘po’, por duke qenë një ndeshje e rëndësishme, do të tentohet e pamundura. Pavard ka dhënë gatishmëri për ta provuar, këto janë gjëra që do të vendosen në prag të ndeshjes, gjatë nxehjes”.







