Victor Osimhen vazhdon të jetë kryeqendra e merkatos së kësaj vere. Sulmuesi nigerian shkëlqeu sezonin e fundit në Turqi, ku ishte i huazuar te Galatasaray, por tani është rikthyer përkohësisht te Napoli.
Ka disa klube që interesohen për nigerianin, por problem mbetet klauzola 75 milionë euro që Aurelio De Laurentiis, ka vendosur për klubet jashtë Italisë që duan Osimhen. Deri tani, këtë shifër ka pranuar ta paguajë vetëm Al-Hilal, madje klubi arab është refuzuar tre herë nga Osimhen, edhe pse rroga e ofruar për të ka qenë 30-40 milionë euro në sezon. Mesa duket, Osimhen kërkon largimin nga Napoli, por të vazhdojë të qëndrojë ende në Europë, ndaj ka refuzuar dhe ofertat e majme të Al-Hilal.
“Gazzetta dello Sport” raporton se Osimhen preferon të transferohet te Juventus, por nigeriani iu ka vendosur ultimatum drejtuesve të klubit bardhezi, duke iu bërë të ditur se i pret ata deri në 15 korrik, ndryshe do të zgjedhë një klub tjetër.
Për të arritur tek Osimhen, Juventus ka dy probleme për të zgjidhur. Problemi i parë është largimi i Dusan Vlahovic, i cili ka refuzuar transferimin te Fenerbahce, pasi pret oferta nga klubet e mëdha në ligat kryesore në Europë. Pa u larguar Vlahovic, bëhet i vështirë transferimi i Osimhen.
Problemi i dytë, drejtuesit e Juventusit duhet të nisin negociatat me Aurelio De Laurentiis, pasi klauzola e vendosur nga presidenti napolitan për Osimhen, 75 milionë euro, nuk është e vlefshme për klubet italiane. Në këtë situatë, drejtuesit e Juventus duhet të negociojnë për një tarifë transferimi, pasi tashmë dihet që drejtuesit e Napolit nuk do të pranojnë huazim me të drejtë blerjeje, apo ndonjë formë tjetër , por vetëm shitje përfundimtare të sulmuesit të tyre.







