Shorti i “final four” e vendosi Vllazninë kundër Dinamo City në gjysmëfinale. Pas verdiktit të golgave, drejtori sportiv kuqeblu, Tefik Osmani, u shpreh për mediat: “Për të dyja ekipet me të cilat mund të përballeshim kemi shumë respekt. Do të jetë një ndeshje e luftuar ndaj Dinamo City, presim të bëjmë mirë.
Nëse fitojmë titullin do të ishte ‘qershia mbi tortë’. Ne e dimë se Shkodra ka vite që e pret titullin. Jemi një nga skuadrat më të mira, pasi kemi në përbërje lojtarë të rinj siç janë Doda, ndërsa kundërshtarët kanë futbollistë me shumë eksperiencë.
Unë jam pjesë e Vllaznisë, kur nuk e bëj punën mirë, marr çantën e iki. Unë kam një marrëdhënie shumë të mirë me drejtuesit e Vllaznisë. Më vjen mirë që tani ka ardhur edhe Ardit Krymi, me të cilin jemi si vllai i madh dhe i vogli. Marrëdhënien me klubin e kam si prindi me fëmijën, kemi marrëdhënie të ngushtë.
Para 3 ditësh, kur luanin në gjysmëfinalen e Kupës, ishte Dinamo City që dominonte, më pas Vllaznia. Këtë herë do të jetë ndeshje ndryshe. Nuk ka drejtor që thotë se do të fitoj titullin dhe kupën. Kam qenë brenda objektivave.
Unë kam mbërritur te Vllaznia kur ishte në vendin e 8-të dhe tani jemi në ‘final four’. Këtu në Shqipëri nuk e përdorin mirënjohjen, sado mirë që të bësh. Nëse nuk arrihet titulli kampion, gjithçka do ta vendosë presidenti”.





