Pandemia zë “mat” edhe UFC, sportistët që hyjnë në Amerikë duhet të jenë të vaksinuar

20 Tetor 2021
10:15
Telesport
back button

Të gjithë sportistët e arteve marciale mikse, që jetojnë e stërviten jashtë Amerikës, mund të kenë probleme për të hyrë aty dhe për të marrë pjesë në eventet që UFC-ja organizon në këtë shtet. Shkak është bërë paraqitja e detyrueshme e vaksinës anti-Covid që personat duhet të paraqesin para se të hyjnë në Amerikë. Jo vetëm, por ata duhet të paraqesin edhe një test negativ, të kryer deri 72 orë para nisjes.

Dana White, presidenti i UFC-së, përmes një e-mail dërguar të gjithë sporistëve që janë rezidentë jashtë Amerikës, u sqaron vendimet e reja që janë marrë jo nga UFC-ja por nga qeveria amerikane. Rregullat e reja hyjnë në fuqi nga 8 nëntori.

Të gjithë udhëtarëve jo-amerikanë që duan të hyjnë në Amerikë do t’u kërkohet vaksinimi i plotë dhe të vërtetojnë se e kanë kryer atë. Ata që kanë kryer të dyja dozat do t’u kërkohet edhe rezultati negativ i një tamponi, kryer deri 3 ditë para nisjes”, thuhet në memon që UFC u ka dërguar sportistëve, firmosur nga numri 1 i arteve marciale mikse.

Kjo masë është e vlefshme edhe për sportistët që vijnë nga Meksika apo Kanadaja përmes linjave rrugore apo hekurudhore. “Sqarojmë se ky nuk është një vendim i UFC-së, por i qeverisë amerikane, e cila kërkon vaksinimin e plotë të të gjithë udhëtarëve që hyjnë në Amerikë”, sqaron UFC.

Kjo mund të sjellë probleme te sportistët jo-amerikanë që kanë për të dueluar në eventet e ardhshme në Amerikë dhe që nuk janë të vaksinuar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit