Tashmë ka gjithnjë e më pak dyshime se “cooling break”, i riemërtuar si “hydration break” për Botërorin 2026, ka më shumë lidhje me interesat financiare të FIFA-s dhe transmetuesve televizivë sesa me shëndetin e futbollistëve. Kjo u bë edhe më e dukshme gjatë ndeshjes Gjermani–Curacao, kur stadiumi ishte plotësisht i klimatizuar në 23°C, por pushimet e detyrueshme u zhvilluan gjithsesi.
Takimi i Grupit E, i fituar nga Gjermania me rezultatin 7-1 në “NRG Stadium” të Houston-it, u luajt me çatinë e mbyllur për shkak të reshjeve të dendura. Edhe pse jashtë temperaturat kalonin 30°C me lagështi të lartë, brenda stadiumit kushtet ishin optimale falë ajrit të kondicionuar.

Megjithatë, arbitri maroken Jalal Jayed e ndërpreu ndeshjen dy herë, nga 3 minuta secilën, sipas rregullores së FIFA-s. Ndryshe nga “cooling break”-et tradicionale, që varen nga kushtet klimatike dhe vendimi i arbitrit, këto pushime janë të detyrueshme në çdo ndeshje të Botërorit.
Burime nga FIFA theksojn se kjo është një masë e përkohshme që nuk do të përfshihet në rregullat zyrtare të IFAB-it, duke ushqyer bindjen se është vendosur kryesisht për t’u krijuar transmetuesve, veçanërisht “FOX Sports” në SHBA, hapësira shtesë reklamash në momente me audiencë të lartë. Sipas kritizerëve, ndeshjet e futbollit në këtë Botëror po luhen praktikisht me 4 pjesë (4 ndërprerje) dhe jo më me 2 (45 minuta x2, plus shtesat).







