Për Arsenal kjo e sotmja është një ditë e veçantë, pasi do të synojë kualifikimin në gjysmëfinalen e Champions League. Pas fitores 3-0 në përballjen e parë, skuadra angleze do të luajë sot në “Bernabeu” ndaj Real Madrid.
Portieri i “topçinjve” David Raya, duke prezantuar këtë përballje tha: “Kemi besimin të bëjmë të njëjtën gjë si në ndeshjen e parë, të fitojmë. Jemi këtu për të bërë histori dhe për të fituar. Kjo është gjëja më e rëndësishme”.
“Të luash në Champions League do të thotë të përballesh me më të mirët. Bëmë mirë sezonin e kaluar dhe kemi filluar të bëjmë të njëjtën gjë edhe në këtë. Sekreti do të jetë vëmendja maksimale, të jemi të fokusuar në atë që duhet të bëjmë dhe gjërat do të shkojnë mirë”, tha Raya.
Atmosfera në “Bernabeu” do të testojë nervat e lojtarëve të Arsenal: “Është diçka që nuk mund ta kontrollojmë. Të fokusohemi te vetja dhe të bëjmë njësoj si në ndeshjen e mëparshme: të krijojmë raste dhe të shënojmë”.
“Kemi lojtarë shumë të fortë dhe të gjithë janë gati për sfidën. Duam të fitojmë Champions League. Gjithsesi, tani mendojmë për ndeshjen e sotme dhe vazhdojmë kështu dita-ditës”, tha Raya.







