Pas largimit të Yann Sommer, Stefan de Vrij, Francesco Acerbi dhe Matteo Darmian, të cilëve iu përfunduan kontratat pa rinovim, Interi rrezikon të humbasë edhe mbrojtësin e tij më të rëndësishëm, Alessandro Bastoni. Sipas të përditshmes spanjolle “AS”, 27-vjeçari është objektivi kryesor i trajnerit të ri të Real Madridit, José Mourinho.
Që nga rikthimi te “Los Blancos”, Mourinho ka kërkuar përforcimin e mbrojtjes. Presidenti Florentino Pérez ka afruar tashmë Marc Cucurella për 60 milionë euro dhe ka bindur Ibrahima Konaté dhe Denzel Dumfries (ende jo zyrtar) t’i bashkohen Realit. Megjithatë, tekniku portugez dëshiron edhe Bastonin, të cilin e konsideron profilin ideal për eksperiencën dhe cilësitë e tij.
Sipas këtij lajmi, Interi është në dijeni të interesimit të Realit dhe nuk përjashtohet mundësia që Bastoni të kërkojë një aventurë të re pas 7 vitesh në Milano. Më herët kishte kontakte edhe me Barcelonën, por bisedimet u ndalën.
“AS” shton se marrëveshja mund të mbyllet brenda javëve të ardhshme për rreth 60 milionë euro, ndërsa Bastoni pret zhvillimet. Alternativat e Mourinhos, Rúben Dias dhe Nico Schlotterbeck, janë komplikuar për shkak të refuzimit të Manchester City për ta shitur portugezin dhe dëmtimit të gjermanit në Botëror.







