Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka bërë një deklaratë që pritet të ushqejë edhe më shumë spekulimet për merkaton, vetëm pak ditë pasi Julián Álvarez pranoi publikisht se dëshiron të largohet nga Atletico Madridi për të realizuar ëndrrën e tij.
Sulmuesi argjentinas ishte shprehur, kur u pyet për të ardhmen: “Dua të largohem nga Atletico dhe të realizoj ëndrrën time”. I pyetur nga “El Chiringuito”, Laporta nuk përmendi emra, por dërgoi një mesazh të qartë: “Shpresojmë që të mund t’ua bëjmë realitet ëndrrat futbollistëve që duan t’i bashkohen Barcelonës”.
Numri një i klubit katalanas shtoi: “Është e qartë se ëndrrat bëhen realitet. Nëse punon dhe lufton për to, ato realizohen. Më pëlqen shumë që ka futbollistë, madje besoj se shumica e lojtarëve duan t’i bashkohen Barcelonës… Kjo na mbush me krenari”.
Deklaratat e Laportës vijnë në një moment kur emri i Julián Álvarez vazhdon të lidhet me Barcelonën, duke shtuar edhe më shumë zërat për një transferim të mundshëm në të ardhmen.







