Inter i ka dhënë lamtumirën Yann Sommer me një letër të gjatë ndarjeje. 3 sezone, 4 trofe dhe pritje të paharrueshme që kanë shënjuar historinë e fundit zikaltër. Me një mesazh të gjatë lamtumire të publikuar në kanalet zyrtare, Interi ka zyrtarizuar largimin e portierit Yann Sommer, gardianit zviceran të cilit i ka përfunduar kontrata me klubin ku mbrojti portën për tri sezone:
“Do të jetë e lehtë, kur në të ardhmen të flitet për vitet zikaltër të Yann Sommer, të kujtohet si ‘flashback’ i parë dhe i mrekullueshëm paraqitja e tij në ndeshjen Inter–Barcelona. Do të jetë e lehtë të mbyllen sytë dhe të rikujtohet ai çast kur ‘San Siro’ mbajti frymën pezull, mbi gjuajtjen me hark të Lamine Yamal në pjesën e dytë të kohës shtesë. Do të jetë e lehtë të buzëqeshësh duke kujtuar si Yann u shtri, duke fluturuar si një superhero për të nxjerrë topin nga këndi, duke bërë që ‘San Siro’ të shpërthente sikur të ishte shënuar gol. Një moment magjik që sublimoi një rrugëtim konsistence, cilësi thelbësore për një portier, për dikë që e di se përgjegjësia e tij ka një peshë të ndryshme nga të tjerët.
Yann e përqafoi përgjegjësinë me qetësinë dhe serenitetin që i lexohen gjithmonë në fytyrë, duke ia transmetuar ato mbrojtjes, skuadrës dhe stadiumit. Tri vite në portën zikaltër, tri sezone në të cilat dorezat e tij ishin bazë e sukseseve të Interit, ku klasi i tij me këmbë u bë një pikë kyçe në ndërtimin e lojës. Na ka magjepsur me refleksin e tij, me ato fluturime plastike dhe instinktive që nuk i prishnin kurrë flokët e tij të gjatë gjithmonë të rregullt.
Një rregull që është pjesë e karakterit të tij, një precizion që e ka treguar si me topin në këmbë, ashtu edhe në drejtimin e mbrojtjes. Ndikimi i tij tek Interi u pa menjëherë edhe në statistika të jashtëzakonshme, me 12 “porta të pastra” në 17 ndeshjet e para në Serie A. Ai la gjurmën e tij në fitimin e “yllit të dytë” me pritje vendimtare, nga ndeshja me Napolin te fluturimi në Empoli, nga refleksi ndaj Retegui në ndeshjen me Genoa deri te ndërhyrjet e vlefshme kundër Romës, duke kaluar edhe te penalltia e pritur ndaj Nico González në Firence, deri te derbi i kthimit: një natë historike, ku Yann fitoi ‘scudetton’ e tij të parë dhe përjetoi dashurinë e pakushtëzuar të Milanos zikaltër.
Një dashuri që e ka ndjekur çdo ditë, deri në kulmin kundër Barcelonës. ‘San Siro’ në këmbët dhe në duart e tij, tifozët zikaltër në ekstazë pas një paraqitjeje legjendare që hyri në histori. Një ndeshje thuajse joreale e portierit zviceran, autor i pritjeve të një kampioni të vërtetë. E para, e pabesueshme, ndaj Eric García: porta e zbrazur, tifozët blaugrana gati të festonin dhe më pas ndërhyrja si mace. Pastaj shumë pritje të tjera, deri te shpëtimi i jashtëzakonshëm në minutën e 9-të të kohës shtesë. Gjuajtja e Yamal dukej e pakapshme, e pamundur për t’u ndalur, megjithatë u ndal. Pritja e historisë, për të shpëtuar rezultatin, sërish e sërish.
Ky ka qenë ndoshta një nga tiparet më të bukura të Sommer; aftësia për të alternuar normalen me të jashtëzakonshmen, duke ruajtur gjithmonë konsistencën, qetësinë dhe vullnetin e tij. Ai e përsëriti këtë edhe në sezonin e fundit, atë të “dopietës”: 15 ndeshje pa pësuar gol në 33 paraqitje në kampionat, duke mbyllur në mënyrë të paharrueshme tri vitet zikaltër ku fitoi dy ‘Scudetto’, një Kupë Italie dhe një Superkupë Italie. 139 paraqitje gjithsej, me 66 ndeshje pa pësuar gol; Yann Sommer ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Interit.
Faleminderit, Yann! Ka qenë bukur të fitojmë së bashku”.







