Portugalia fitoi Nations League pas një ndeshje maratonë ndaj Spanjës, që u vendos nga penalltitë. Edhe pse nuk i gjuajti ato, pasi doli nga fusha i dëmtuar në minutën e 87-të, Cristiano Ronaldo dha kontributin e tij me golin e barazimit 2-2.
Gjithsesi, e gjithë vëmendja dje ka qenë e përqendruar te përballja mes tij dhe Lamine Yamal, dy yjeve të futbollit. Duke folur për talentin e ri spanjoll, sulmuesi portugez tha: “Yamal po ecën shumë mirë”.
“Luan në një klub dhe një ekip kombëtar që e mbështesin shumë. Ai është në një mjedis të favorshëm për të treguar cilësitë e tij. Por, për të qenë në gjendje të kënaqemi me një lojtar të tillë, duhet ta lëmë të rritet me qetësi dhe të heqim presionin nga ai”, tha CR7.
“Ai është shumë i talentuar. Ndonjë këshillë? Unë do t’i jap këshilla kujtdo që ka nevojë, por vetëm në mënyrë private. Krahasimet? Po flasim për breza të ndryshëm, njëri fillon dhe tjetri mbaron”, shtoi portugezi.
“Ata duhet ta krahasojnë Lamine me Vitinha që janë më afër. Ajo që dua më shumë është që Portugalia të luajë në një nivel të mirë edhe më tej, të fitojë edhe Kupën e Botës”, deklaroi Cristiano Ronaldo.
I pyetur se kush është favoriti i Topit të Artë ai shtoi: “Çmimet individuale kanë humbur një pjesë të vlerës. Nuk mund të them asgjë se kush duhet të fitojë. Për mendimin tim, kushdo që dallohet dhe fiton Champions League duhet të fitojë”.
“Por nuk ka unanimitet. Nuk besoj shumë në çmimet individuale sepse e di se çfarë ndodh prapa skenave. Lamine mund të fitojë, ashtu si Dembélé apo Vitinha, lojtarë të tjerë në zhvillim… Por çmimet individuale janë të parëndësishme“, tha Ronaldo.







