E ardhmja e Leroy Sane te Bayern Munich është ende e paqartë, me sulmuesin që nuk ka vendosur nëse do të rinovojë apo do të largohet si lojtar i lirë në fund të sezonit. Ai realizoi dy gola në fitoren 5-0 ndaj Hoffenheim në kampionat, ku tregoi cilësitë e tij.
Kjo po konfirmon formën e tij në rritje, pasi në 4 ndeshjet e fundit të Bundesliga, 29-vjeçari ka shënuar katër gola. Paraqitje që e afron edhe më shumë me një rinovim të mundshëm me klubin bavarez.
“Jam i kënaqur me golat, por ajo që është më e rëndësishme është se si jemi sjellë si ekip. Jemi në sport: nëse bën një paraqitje të mirë, lavdërohesh. Nëse gjërat nuk shkojnë mirë, mund të ketë edhe disa kritika”, tha Sane.
“Unë gjithmonë përpiqem të ndihmoj ekipin dhe të bëj një paraqitje të mire. Unë i pari jam kritik ndaj vetes kur nuk luaj mirë dhe nuk mund ta ndihmoj skuadrën”, shtoi më tej Leroy Sane, për të cilin përflitet se mund të rikthehet në Premier League.







