Mesfushori i kombëtares shqiptare, Julian Shehu, ka folur në prag të miqësoreve të qershorit, duke vënë theksin te rëndësia e sfidave ndaj Izraelit dhe Luksemburgut si përgatitje për ato zyrtare në Ligën e Kombeve në shtator. Ai ka komentuar edhe filozofinë e trajnerit të ri Maran, mundësitë që iu jepen lojtarëve në role të ndryshme dhe procesin e ndërtimit të një identiteti të ri për skuadrën kuqezi. Shehu thekson se ndryshimet janë të natyrshme me ardhjen e një trajneri të ri dhe se konkurrenca për vendin në formacion është plotësisht e hapur.
Maran preferon lojën në sulm, a do të jetë një mundësi dhe për ju që të tregoni dhe aftësitë përpara portës?
Mendoj se çdo trajner ka idetë dhe mendimet e veta për sa iu përket lojtarëve dhe pozicionimit në fushë. Nuk e di në qoftë se do të jem më përpara apo do vazhdoj të jem në të njëjtin pozicion me Maran. E rëndësishme është që për sa kohë të jem në fushë të bëj maksimumin për kombëtaren dhe të jap më të mirën time. Trajneri ka idetë e veta për lojën, kështu që, në qoftë se do jem përpara, do bëj maksimumin, në qoftë se do jem mbrapa do bëj prapë maksimumin.
A mendon se në kombëtare duhet të ndryshojnë disa gjëra?
Çdo trajner kur vjen në ekipin kombëtar ka idetë e veta, siç e thashë më përpara. Synon ta krijojë ekipin në bazë të ideve që ka, kështu që normalisht mund të ketë ndryshime. Çdo gjë është normale për sa iu përket ndryshimeve, përderisa trajneri është i ri.
Sa të rëndësishme janë këto dy miqësore, duke qenë se në shtator kemi sfidat zyrtare në Ligën e Kombeve?
Po, besoj që janë shumë të rëndësishme për ne për sa i përket vazhdimësisë që do kemi dhe ndeshjeve që janë për ‘Nations League’ në shtator. Pra, këto janë dy teste të rëndësishme për ne. Duhet të bëjmë maksimumin dhe të krijojmë identitetin tonë me trajnerin e ri.
Nga zhgënjimi që ishte në ‘play-off’, në miqësore, me prurje të reja…
Besoj që këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme për të krijuar identitet për ndeshjet në vazhdim që kemi. Sigurisht çdo lojtar i ri që vjen në ekipin kombëtar e meriton që të jetë këtu, përderisa është këtu dhe çdo pozicion në formacion është i hapur, kështu që do luajë ai që e meriton të luajë.







