“Presim lajme të mira nga samiti i paqes në Zvicër. Ne presim që njerëzit të flasin për të ardhmen, presidenti ka takime të rëndësishme, Ukraina ka nevojë për vëmendje dhe mbështetje. Ajo gjithmonë e ka pasur dhe ka ndjerë mbështetjen e Evropës e SHBA-së, por tani është koha për ta rinovuar atë, për ta bërë edhe më konkrete në mes të kaq shumë shkatërrimeve”.
Kështu ka thënë në një intervistë për “La Stampa” presidenti i Federatës së Futbollit të Ukrainës, ish-sulmuesi i Milanit dhe fituesi i “Topit të Artë”, Andriy Shevchenko, i cili është edhe ndër këshilltarët e Zelenskit.
“Unë nuk jam politikan, – shpjegon ai, – thjesht shpresojmë që në G7 dhe mbi të gjitha në Lucern, në tryezën e paqes, të vendosen themelet për një strukturë që çon në fund të luftës. Mund të jetë fillimi drejt kësaj. Presidenti Zelensky është i qartë se ne duhet të shkojmë drejt një të ardhmeje të tillë të mundshme.
Po e vendos fytyrën time në të tijën, nëse popullariteti im mund të ndihmojë, jam i lumtur për këtë. Ky është momenti, gjithashtu për t’i dhënë një shtysë kombëtares, që ka mundësinë ta mbajë lart emrin e Ukrainës. Zhvillimi i një Kampionat Evropian të mirë do të thoshte shumë.
Kualifikimi në Europian është demonstrimi se vendi dëshiron të jetojë, të mbështetet, nuk heq dorë nga përditshmëria, shikon përtej konfliktit. Kalimi i grupit do t’i jepte një moral të madh vendit. Ashtu si ushtarët në front duhet të na mbrojnë ne, lojtarët në Kampionatin Evropian, ashtu si atletët në Olimpiadë, duhet të na përfaqësojnë.
Sporti ka një fuqi të fortë, por pa u fshehur, kjo gjë po zbehet pasi lufta ka vazhduar për një kohë të gjatë. Është e qartë, – nënvizon ai, – se ky është një Kampionat Evropian i dhimbshëm për ne, nisur nga të rënët në frontin e luftës me Rusinë, çdo gol vlen të paimagjinueshmen. Lunin, portieri i Real Madridit dhe Mudryk, sulmuesi i Chelsea vijnë nga Krasnohrad, një rajon i shkatërruar vazhdimisht nga rusët.
Shaparenko, talenti i Dinamos së Kievit është me origjinë nga Velyka Novisilka, një vend i shkatërruar, ku sot nuk ka ujë dhe energji elektrike. Matvienko dhe Zubkov, pjesë e Shakhtar Donetsk, kanë lindur përkatësisht në Saky, Krime dhe Makiivka, territore të pushtuara nga rusët.
Po kështu vuan Donetsk, padyshim, qyteti i Taloverov dhe Trubinovsky. Ne jemi detyruar të luajmë diku tjetër, larg dashurive dhe rrënjëve tona. Megjithatë, kudo kemi gjetur gjithmonë shumë ngrohtësi. Besoj se në Kampionatin Evropian skuadra nuk do të ndihet vetëm”.







