Shkelm i frikshëm, Shevchenko mposht “djallin” Eye dhe ruan titullin

9 Qershor 2019
9:40
Telesport
back button

Valentina Shevchenko ka mbrojtur titullin kampion bote të peshës “flyweight” (pesha flutur, 53-57kg) pas fitores me “KO” në raundin e dytë ndaj Jessica Eye (njihet ndryshe me nofkën “djalli”). Një shkelm i fuqishëm i Shevchenko në fytyrën e Eye, pak sekonda pasi kishte nisur raundi i dytë, hodhi në tapet sfidanten, e cila nuk u ngrit më dhe gjyqtari ndali duelin.

Një sfidë që u mbyll me fitoren e merituar të Shevchenko, protagoniste absolute e kësaj sfide për titullin kampion zhvilluar në eventin UFC-238, në Çikago. Eye u përpoq të bëjë më të mirën, por e kishte të pamundur të ndalte hovin e ruses me nënshtetësi peruane, që tregoi edhe një herë se është një nga ikonat e arteve marciale mikse.

Një goditje me këmbën e majtë befasoi të gjithë, përfshi edhe Eye, duke e konsideruar këtë triumf me “KO” si një nga më spektakolarët në historinë e këtij sporti. Shevchenko mbron për herë të parë titullin kampion të këtij Divizioni, ku numëron 17 fitore e 3 humbje. Për Eye vjen humbja e 7-të në karrierë, ku ka edhe 14 fitore e 1 duel pa rezultat.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit