Sneijder bën zbulimin shokues: Kam marrë 4.000 kërcënime me vdekje pasi fola për Vinicius

26 Shkurt 2026
9:12
Alfred Lleshi
back button

Wesley Sneijder dha mendimin e tij disa ditë më parë, pas ndeshjes Benfica-Real Madrid (0-1), duke kritikuar sjelljen e Gianluca Prestianni, i cili dyshohet se kishte ofenduar në mënyrë raciste Vinicius dhe kishte mbuluar gojën për të mos u dëgjuar. Mbetet për t’u parë çfarë ndëshkimi do të marrë argjentinasi përfundimisht, pasi është e vështirë të provohet saktësisht çfarë është thënë.

Ish-mesfushori i Interit dhe Real Madridit deklaroi se një sjellje e tillë do të ishte e papranueshme në ekipin e tij dhe se frika dukej qartë në sytë e Prestianni. “Dukej që e dinte se kishte bërë një gabim të rëndë. Mendoj se do të ketë pasoja”, – tha ai për “Ziggo Sport”.

Komentet e Sneijder shkaktuan reagime të forta, sidomos në Argjentinë. Në emisionin “Rondo”, ai zbuloi: “Është një temë e tmerrshme. Javën e kaluar mora 4.000 kërcënime me vdekje nga Argjentina vetëm pse shpreha mendimin tim. Të gjithë kanë të drejtë të japin opinione, edhe unë bazuar në atë që shoh”.

Pas rastit të dyshuar racist në Benfica-Real Madrid, këto ishin fjalët e ish-yllit holandez, Wesley Sneijder: “Prestianni duhet të sillet si burrë dhe të mos e mbulojë gojën kur i thotë diçka Viniciusit. Nëse do ta thotë, ta thotë pa e fshehur”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit