Wesley Sneijder luajti te Real Madridi për dy sezone (2007–2009). Një periudhë që nuk ishte aspak e mirë për ish-lojtarin holandez, as për klubin madrilen. “Ishte një përzierje faktorësh. Jeta ime personale, dëmtimet, ndryshimet në stafin teknik dhe klubi që mori një drejtim tjetër. Kam pasur disa momente të bukura atje, por nuk ishte koha e duhur për të qëndruar gjatë”, – shpjegoi ish-mesfushori për “Winwin-allsports”.
Sneijder analizoi situatën e Real Madridit dhe shprehu besim te Xabi Alonso: “Xabi është shumë inteligjent. Kjo dukej që kur luanim bashkë. Mendoj se do të bëjë mirë te Real Madridi. E njeh klubin, presionin dhe ka ide të freskëta. Besoj tek ai, pas asaj që bëri me Leverkusenin”.
Nuk mungoi edhe një këshillë për trajnerin bask: “Do të dështojë vetëm nëse egot nuk menaxhohen mirë. Lojtarët e mëdhenj kanë nevojë për strukturë dhe sakrificë. Nëse luajnë për ekipin dhe jo për veten, mund të bëhen të pandalshëm. Varet nga trajneri që të bëjë që kjo të funksionojë”.
Ish-lojtari pranoi gjithashtu se ende e “trishton” fakti që nuk e fitoi “Topin e Artë” më 2010, trofe që shkoi për Lionel Messin: “Kisha një vit të jashtëzakonshëm, fitova Ligën e Kampionëve, dopietë kombëtare (në Itali) dhe luajta finalen e Kupës së Botës. Ndjeva se i kisha bërë të gjitha, por fitoi Messi. Ai është një lojtar i madh. Megjithatë, fakti që njerëzit ende ma përmendin vitin 2010 tregon se e panë atë që bëra, kjo ka rëndësi”.







