Yann Sommer, portieri i Interit, ka folur për kanalet zyrtare të klubit pas barazimit spektakolar 3-3 ndaj Barcelonës, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve: “Rezultati ka shumë vlerë, është një barazim i mirë për ne. Ishte një ndeshje e vështirë, ndjemë shumë presion. U mbrojtëm mirë, por është e qartë se Barcelona krijon gjithmonë raste për të shënuar. Në fund, një barazim si ky është pozitiv për ne”.
Duke analizuar lojën dhe mënyrën e interpretimit të saj nga Interi, Sommer theksoi: “E dinim që Barcelona bën presion të lartë dhe agresiv, ndaj duhej të rrezikonim disi. Bëmë mirë dhe shënuam tre gola. Në fund, ky 3-3 është një rezultat i vlefshëm”.
Duke shikuar përpara drejt sfidës së kthimit, që do të luhet më 6 maj në “San Siro”, zvicerani theksoi rëndësinë e aspektit psikologjik: “Do të jetë shumë e rëndësishme ‘koka e ftohtë’, mentaliteti. Do të luajmë në shtëpi, me tifozët tanë pas nesh. Na duhet kjo atmosferë deri në fund. Na pret një tjetër ndeshje e vështirë, por kjo vlen për të dyja skuadrat”.







