Spalletti bën patriotin e madh, para Shqipërisë: Këtu përfaqësojmë 60 milionë tifozët tanë

14 Qershor 2024
14:44
Alfred Lleshi
back button

Luciano Spalletti është gati të debutojë në Kampionatin Evropian 2024. Pjesëmarrja e 11-të e axurrëve në këtë kompeticion do të ketë një shije të ndryshme nga të tjerat, sepse do të luhet për të mbrojtur trofeun, për të hyrë në historinë e futbollit.

“Lucio” është gati, i përqendruar, por edhe pak i emocionuar për ndeshjen ndaj Shqipërisë, që mund të jetë teknikisht inferiore ndaj Italisë, por ka një entuziazëm të madh. “Emocioni nga këndvështrimi im është i madh, – tha ai në konferencën për shtyp, – por me kalimin e orëve ky emocion bëhet fantastik dhe jo… toksik.

Jemi në një vend fantastik, për të luajtur një ndeshje të bukur. Ndeshja është e vështirë, sepse Sylvinho ka bilanc pozitiv me skuadrën e tij. Do të luajmë kundër lojtarëve që e njohin mirë ligën tonë. Ramadani, Asllani, Bajrami, Hysaj e dinë se kush jemi.

Është e vërtetë që ndonjëherë rezultatet janë të ndryshme nga ato që sjell në shtëpi, por trajektoret e topit janë të vështira për t’u kuptuar, ose të ndryshme nga ecuria e ndeshjes. Ne duam të jemi gjithmonë ekip, gjithmonë të shprehim markën e futbollit tonë. Ne punojmë në këtë drejtim, por ka kundërshtarë dhe nuk mund t’ia dalim gjithmonë.

Sidoqoftë, jam i bindur se do të tregojmë gjithmonë atë që duam, duke qenë pjesë e një ekipi të bashkuar, jo vetëm e atyre që dalin në fushë. Nuk duhet ta harrojmë për asnjë moment se përfaqësojmë 60 milionë italianë, që janë tifozët tanë”.

Për dyshimet e formacionit: “Barella është rikuperuar, nëse i bën të gjitha stërvitjet sërish sot do të mund ta hedh në fushë. Në dy miqësoret kërkuam të njëjtat gjëra, do të duhet të bëjmë më mirë”.

Mbi personalitetin e kombëtares që drejton: “Ne jemi protagonistët e ëndrrës së çdo italiani, i cili që në fëmijëri lë shkollën me topin nën krah dhe kthehet në mbrëmje me fytyrë të djersitur, këmbë të lodhura dhe gjunjë të thyer. Për bashkatdhetarët tanë jemi heronj dhe gjigantë, ndaj duhet të japim gjithçka në fushë. Nuk mund të jetë ndryshe. Duhet të tregojmë se jemi në nivelin që presin tifozët”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit