Spalletti e pranon hapur: Italia nuk është ende gati për të rivalizuar kombëtaret e mëdha

10 Maj 2024
11:38
Alfred Lleshi
back button

I intervistuar nga “Corriere della Sera”, trajneri i Italisë, Luciano Spalletti, preku tema të ndryshme, duke përfshirë, natyrisht, ato të kombëtares: “Fanella blu është më e bukura dhe më e rëndësishmja në botë, lëkura e parë për çdo futbollist italian.

Duhet ta veshësh atë me krenari dhe bindje, me dinjitet dhe humanizëm. Në kombëtaren tonë të gjithë duhet të jenë në të njëjtin nivel, që askush të mos ndihet i plotfuqishëm. Le t’ia fillojmë të gjithë nga disfatat e kaluara, janë ato që na forcojnë”.

Për shanset konkurruese të Italisë me kombëtaret e mëdha europiane shtoi: “Duhet ta bëjmë, por po punojmë ende për këtë. Ajo që kemi treguar deri tani nuk është e mjaftueshme. Ne kemi cilësi teknike dhe njerëzore, por le të jemi të qartë: kaq nuk mjafton në elitën e futbollit europian”. Disa fjalë edhe për Scamacca: “Meritat i shkojnë Gasperinit, që e stërvit. Në një farë mënyre i kërkova të kishte një reagim, kjo ndodhi. Jam i lumtur, qëllimi im është pikërisht ky”.

Për sezonin e Serie A: “Kush më pëlqeu më shumë? Përveç Interit, që e fitoi me meritë titullin, Bologna. Skuadra e Motta më kthen kujtimet e Napolit: Lojë e bukur, grupi që frymon miqësi dhe vëllazëri. Çfarë ndodhi me Napolin? Tre trajnerë përgjithësisht nuk ndryshojnë as në pesë vite.

Si mund t’i asimiloni kaq shumë gjëra në vetëm pak muaj, nga trajnerë që kanë metoda pune dhe karaktere të ndryshme. Lojtarët ndonjëherë duhet të ngushëllohen, të bindur se janë të fortë. Kaq shumë lëvizje në drejtim ndikojnë për t’ju demotivuar”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit