Ekuilibër i madh në 6 përballjet e fundit mes Interit dhe Bayern Munich në Champions League. Nga 3 fitore për secilën skuadër, edhe pse vetëm një nga këto 6 fitore është arritur nga skuadra pritëse (Bayerni, 2-0 në “Allianz Arena”, në nëntor 2022).
Bayern Munich ka fituar gjithmonë në 4 transfertat kundër Interit në kompeticionet europiane, përfshirë tri në Champions League, pa pësuar gol (2-0 më 2006, 1-0 më 2011 dhe 2-0 më 2022). Kjo është në fakt seria më e gjatë e humbjeve radhazi në shtëpi e skuadrës italiane kundër një kundërshtari të vetëm në të gjitha kompeticionet europiane (4).
Interi e ka kaluar turin në 21 nga 23 përballjet e mëparshme në fazën me eliminim direkt të Kupës së Kampioneve/Champions League, pas një fitoreje në ndeshjen e parë. Një nga këto dy eliminime ka ardhur sezonin e kaluar, duke humbur me penallti kundër Atlético Madridit në 1/8 finale, pas suksesit 1-0 në ndeshjen e parë (2-2 në total, humbje 3-2 me penallti).
Bayern Munich e ka kaluar turin vetëm në një nga 8 përballjet e fundit në fazën me eliminim direkt të Champions League, pas një humbjeje në ndeshjen e parë, edhe pse kjo ka ndodhur pikërisht në edicionin më të fundit (3-1 në total kundër Lazios, në 1/8 finale të sezonit të kaluar).
Interi ka mbetur i pamposhtur në 14 ndeshjet e fundit në shtëpi në Champions League (12 fitore, 2 barazime). Kjo është seria më e gjatë aktuale e ndeshjeve në shtëpi pa humbje në këtë kompeticion, pasi ndërpreu pikërisht serinë prej 22 ndeshjesh të Bayernit në “Allianz Arena”, në ndeshjen e parë çerekfinale.
Interi ka regjistruar 573 presione me intensitet të lartë në ndeshjen e parë kundër Bayern Munich; rekord për një skuadër në një ndeshje të vetme në këtë edicion të Champions League.
Lautaro Martínez ka shënuar në të katër ndeshjet e tij të fundit në Champions League dhe mund të bëhet lojtari i parë i Interit që gjen golin në pesë prezenca radhazi në këtë kompeticion. Për më tepër, vetëm dy lojtarë kanë realizuar më shumë gola se argjentinasi (7 më 2024/25) me fanellën e Interit, në një sezon të vetëm të Champions League: Hernán Crespo më 2002-03 (9 gola) dhe Samuel Eto’o më 2010-11 (8 gola).
Thomas Müller (162 ndeshje) mund të barazojë Lionel Messin (163) në vendin e 3-të për lojtarët me më shumë prezenca në Champions League, pas vetëm Cristiano Ronaldos (183) dhe Iker Casillas (177). Me golin në ndeshjen e parë kundër Interit, Müller është bërë golashënuesi më i moshuar i Bayern Munich në një ndeshje me eliminim direkt të kompeticionit (35 vjeç e 207 ditë).
Benjamin Pavard i Interit mund të luajë ndeshjen e tij të 50-të në Champions League (aktualisht me 49 ndeshje). 40 fitoret e tij në 49 ndeshje, deri tani, përbëjnë rekord suksesi për një lojtar në 50 paraqitjet e para, në historinë e kompeticionit.







