Strapacimi fizik i Interit, ka luajtur 15 mijë minuta më shumë se Napoli. Lautaro, më i “shtrydhuri”

26 Prill 2025
8:38
Alfred Lleshi
back button

Mos guxoni të flisni për lodhje. Simone Inzaghi nuk do ta dëgjojë më këtë fjalë. Ai mendon si të mëdhenjtë e Europës, që zgjedhin të luftojnë në të gjitha frontet. E megjithatë, shifrat janë të qarta, në disa aspekte edhe tronditëse.

Duke mbledhur minutazhin e të gjithë lojtarëve të Interit, të aktivizuar në kompeticione të ndryshme nga trajneri nga Piacenza, shkruan edicioni i sotëm i “Gazzetta dello Sport”, arrihet në një total prej 50.417 minutash. Nëse bëhet e njëjta llogaritje për skuadrën e Napolit, totali është shumë më pak, 35.640 minuta aktivizim.

Pra, zikaltrit kanë luajtur rreth 15 mijë minuta më shumë, ose në përkthim praktik, 15 ndeshje diferencë. Kaq i ndajnë dy skuadrat kryesuese të Serie A, një barrë e rëndë për Interin në këtë fund sezoni drejt titullit.

Duke analizuar rastet individuale, “Gazzetta” thekson se përveç portierit Sommer, më i përdoruri i skuadrës zikaltër me 3.870 minuta, janë edhe pesë lojtarë të tjerë që kanë kaluar kuotën e 3.000 minutave: Bastoni (3.455’), Lautaro (3.435’, gati për ta kaluar Bastonin, meqë mbrojtësi do të jetë i pezulluar kundër Romës), Barella (3.242’), Mkhitaryan (3.200’) dhe Thuram (3.004’).

Diferenca me Napolin është shumë e dukshme, pasi në radhët e skuadrës napolitane, i vetmi që ka kaluar 3.000 minutat aktivizim është Rrahmani (3.046’).

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit