Bayern Munich po kalon një moment të mirë në kampionat, duke mundur 3-2 Wolfsburg dhe ruan epërsinë prej 4 pikësh ndaj Leverkusen. Protagonist në këtë sfidë ishte Leon Goretzka, që shënoi dy gola dhe u shpall lojtari i ndeshjes.
Trajneri Vincent Kompany është i kënaqur me lojtarin dhe skuadrën, pasi në tri ndeshje të luajtura brenda një javë në kampionat mori 9 pikë të plota: “Zhvillimi i lojës së Leon është pozitiv për ekipin”.
“Ka djem të tjerë që po kalojnë një fazë të vështirë. Leon gjithmonë ka punuar shumë. gjithmonë i uritur në stërvitje. Është një gjë e mirë për të dhe për të tjerët. Ai tregoi reagimin e duhur në fushë me lojën e tij dhe jo me fjalë”, tha Kompany.
Edhe kapiteni Manuel Neuer e lëvdoi lojën e Goretzka: “Përkushtimi i tij në stërvitje dhe aftësia e tij për të qenë vendimtar kur del në fushë janë të lavdërueshme. Ai është një lojtar i rëndësishëm për ne, kjo na jep mundësi të veprojmë dhe të reagojmë në fushë”.







