Stërvitja e parë për Francën në tokën gjermane, në kuadër të Euro 2024, ka nisur me dhimbje koke për trajnerin Didier Deschamps. Mbrojtësi i Milan, Theo Hernandez, u detyrua të linte stërvitjen në qendrën stërvitore të Paderborn pas vetëm 20 minutash.
Shkak është bërë një problem fizik që lojtari ka patur gjatë nxehmjes. Një dëmtim që mund të sjellë mungesën e tij në fushë në ndeshjen debutuese të Europianit kundër Austrisë, e planifikuar për të hënën më 17 qershor.
Për momentin stafi mjekësor, trajneri apo Federata Franceze e Futbollit nuk kanë dhënë asnjë deklaratë për këtë dëmtim dhe gjendjen e lojtarit. Mësohet se ai ka lënë stërvitjen për të evituar që problemi të përkeqësohet dhe do të shihet nëse sot do të stërvitet apo jo.
Ndërkohë, lajme të mira vijnë nga mesfusha. Adrien Rabiot dhe Aurelien Tchouameni, të cilët kishin munguar në ndeshjet kundër Luksemburgut dhe Kanadasë, janë stërvitur rregullisht me grupin dhe për këtë arsye do të jenë në dispozicion për ndeshjen e parë të Grupit D.







