Thuram: Më e mira nuk ka ardhur ende për Interin, nuk kemi folur për tripletën

5 Prill 2025
6:50
Alfred Lleshi
back button

Marcus Thuram, sulmuesi franez i Interit, i intervistuar nga “CBS Sports Golazo”, ka treguar se çfarë pret nga sezoni që po zhvillohet tani: “Mendoj se më e mira nuk ka ardhur ende, të paktën kështu shpresoj.

Ndeshjet e rëndësishme vijnë tani, besoj se skuadra jonë është e përbërë nga kampionë. Kampionët shihen në këto ndeshje. Nuk kemi folur për tripletën në dhomat e zhveshjes, thjesht i thamë njëri-tjetrit se duhet t’i fitojmë ndeshjet e ardhshme që na presin”.

Sot do të luhet ndaj Parmës: “Natyrisht, kundër Parmës është një ndeshje ndryshe nga të tjerat për mua. Unë dhe vëllai im kemi lindur atje, babai ka luajtur vitet më të mira të karrierës së tij si futbollist atje. Është bukur të kthehem në shtëpi, por shpresoj të fitoj”.

Çfarë dallimi ka mes të luajturit si sulmues krahu dhe qendërsulmues: “Kur luan si sulmues qendror ke gjithmonë dy kundërshtarë pas, kur luan në krah e sfidon kundërshtarin ballë për ballë. Kam mësuar të luaj me kurriz nga porta”.

Një mendim edhe për partnerin e sulmit zikaltër, Lautaro Martinez: “Po flasim për një nga sulmuesit më të fortë në botë, unë përpiqem ta ndihmoj atë dhe ai përpiqet të më ndihmojë mua. Flasim shumë jashtë fushës për të kuptuar çfarë mund të përmirësojmë, si ta ndihmojmë akoma më shumë skuadrën. Sidoqoftë, besoj se po bëjmë një punë të mirë”.

Mbi rotacionet e Inzaghit në formacion: “Unë nuk jam prekur shumë nga kjo kohët e fundit, kam luajtur disa ndeshje. Kemi një stol të fuqishëm, për të luftuar në tri fronte duhet të kemi një skuadër me 20 lojtarë të mëdhenj”.

Cili është më i miri, Interi i tripletës më 2010 apo Interi aktual i Inzaghit: “Natyrisht, ai i vitit 2010. Ata fituan gjithçka, ne ende asgjë. Ishte një skuadër fantastike ajo”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit