Partizani dhe Tirana janë dy ekipet finaliste të Kupës së Shqipërisë në volejboll për meshkuj. Nëse për të kuqtë kualifikimi ishte disi më i lehtë, pasi kishin fituar edhe ndeshjen e parë, bardhebluve iu desh “golden set” për të prekur finalen.
Tirana pat humbur në Korçë në gjysmëfinalen e parë, por në “Fahrie Hoti” bëri një ndeshje të mirë, duke mposhtur 3-0 Skënderbeun (25-20, 25-21, 27-25) në gjysmëfinalen e kthimit.
Me nga një fitore secila skuadër, emri i finalistit u vendos në “golden set” (seti i artë). Në këtë set, mes shumë emocionesh, Tirana fitoi 15-11, duke siguruar kështu finalen e Kupës së Shqipërisë.
Në sfidën tjetër, Partizani fitoi 3-2 ndaj Vllaznisë (27-25, 23-25, 25-16, 24-26, 15-7), duke u kualifikuar për në finale, pasi kishte fituar edhe sfidën e parë. Një ndeshje në përgjithësi e dominuar nga kryeqytetasit, që do të mbrojnë trofeun.
Gjysmëfinale-Meshkuj, ndeshje 1
Vllaznia – Partizani, 0-3
Skënderbeu – Tirana, 3-1
Gjysmëfinale-Meshkuj, ndeshje 2
Partizani – Vllaznia, 3-2
Tirana – Skënderbeu, 3-0 (15-11, g.set)







