Triumf kuqezi!!! Mundësi Islam Dudaev medalje ari, shpallet kampion i Europës në peshën 65kg

17 Shkurt 2024
18:02
Telesport
back button

Mundësi Islam Dudaev është shpallur sot në mbrëmje kampion i Europës në peshën 65kg, në stilin e lirë, në Europianin që po zhvillohet në Bukuresht të Rumanisë. Në finale, ai mundi me rezultatin 2-1 rusin Gadzhimurad Rashidov, në një sfidë të fortë dhe me shumë rivalitet.

Një paraqitje e shkëlqyer e mundësit me origjinë ruse por që prej disa vitesh garon për Shqipërinë, që në këtë turne arriti t’i fitojë të gjitha sfidat. Ai e kishte siguruar që dje zonën e medaljeve, pas kalimit në finale, por sot ai shkëlqeu sërish, duke marrë atë të artë.

Dueli i sotëm ndaj rusit Rashidov, që garonte si neutral, ishte mjaft i fortë. Dudaev kaloi i pari në epërsi, por rusi barazon. Gjithsesi, Dudaev arrin të dalë sërish në avantazh 2-1 dhe e mbron atë deri në fund. Në fund, mundësi kuqezi, arrin t’i rezistojë sulmeve të rivalit dhe më pas nis festën me flamurin kuqezi.

Në Europian, Dudaev arriti 5 fitore, ku përveç asaj të sotme, ai dje shkëlqeu në 4 duele. Në sfidën kualifikuese, mundësi kuqezi fitoi 6-3 ndaj turkut Abdullah Toprak. Në fazën tjetër, Dudaev mposhti me 8-1 mundësin rumun Stafan Ionut Coman, duke shkuar në çerekfinale, ku sërish nuk ndalet.

Në këtë sfidë, Dudaev mposhti 4-0 francezin Arsam Erzouev, duke dominuar në tapet. Dudaev s’ndalet këtu dhe arrin të bëjë një tjetër paraqitje të shkëlqyer, duke mundur 3-1 në gjysmëfinale rivalin nga Azerbajxhani, Ali Rahuimzada.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit