Turneu ndërkombëtar i mundjes “Muhamet Malo”, Shqipëria triumfon në stilin e lirë

16 Maj 2022
8:51
Telesport
back button

Në Tiranë, në mjediset e sallës sportive “Feti Borova”, u zhvillua turneu ndërkombëtar i Mundjes “Muhamet Malo”, në nderim të një prej figurave më të shquara të këtij sporti, ish-president i Federatës Shqiptare të Mundjes. Një njeri që u mbështeti dhe e dashuroi këtë sport, ndaj dhe FSHM e nderoi dhe kujtoi me një turne tashmë ndërkombëtar, që ka hyrë edhe në kalendarin e Unionit Ndërkombëtar të Mundjes (UWW).

Ky është edicioni i dytë i këtij turneu (i pari u zhvillua në vitin 2019 dhe u ndërpre prej pandemisë), por këtë herë pjesëmarrja ishte më e gjerë, duke e kthyer në një event ndërkombëtar. Garat u zhvilluan në stilin klasik dhe atë të mundjes së lirë. Përveç mundësve nga Shqipëria e Kosova morën pjesë mundës nga Italia, Austria, Azerbajxhani, Bullgaria, Rumania, Maqedonia, Malta dhe Britania e Madhe.

Në total ishin rreth 90 mundës nga 10 vende. Kjo pjesëmarrje e madhe bëri që edhe rivaliteti të ishte i fortë. Shqipëria triumfoi në stilin e lirë, duke siguruar 5 medalje të arta me mundësit Zelimkan Abakarov (pesh 65kg), Islam Dudaev (pesha 70kg), Elmaz Kryeziu (pesha 79kg), Osman Hajdari (pesha 86kg) dhe Emiljano Onuzi (pesha 92kg). Në këtë stil Isa Merkja mori medaljen e argjendtë në peshën 61kg (edhe 3 të bronzta). Në stilin klasik, Shqipëria mori 3 medalje të argjendta dhe 6 të bronzta me mundësit e saj.

Në renditjen përfundimtare, Shqipëria ishte fituese në mundjen e lirë me 175 pikë. Pas saj u renditen Italia me 127 pikë, kurse në vendin e tretë Britania e Madhe me 70 pikë. Ndërsa në stilin klasik, ekipi më i mirë ishte Italia, që grumbulloi 180 pikë, duke lënë pas Bullgarinë me 170 pikë, ndësa në të tretin u rendit Shqipëria me 147 pikë.

Klajdi Malo, djali i Muhamet Malo, duke folur për mediat tha: “Ndihem shumë i lumtur që pas shumë vitesh kur ne kemi aplikuar te Federata Botërore e Mundjes për këtë event, këtë vit u miratua falë Federatës Shqiptare të Mundjes. Kemi bërë të mundur që të jetë një turne i përvitshëm, i njohur nga Federata Botërore e Mundjes, turne ndërkombëtar në Shqipëri në emër të Muhamet Malos. Shpresojmë që ta zhvillojmë çdo vit, sepse është një eveniment që mbledh gjithë shtetet e Europës”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit