Boksieri britanik Tyson Fury ka vendosur të rikthehet në ring vitin tjetër. Lajmin e konfirmoi Turki Alalshikh, kryetari i Autoritetit të Përgjithshëm të Argëtimit të Arabisë Saudite, njeriu që po organizon eventet e mëdha të boksit.
Ai shkroi në mediat sociale të mërkurën se kishte biseduar me Tyson Fury, i cili e kishte informuar se do të rikthehet vitin tjetër. Një rikthim që vjen një vit pas tërheqjes së tij nga sporti.
Sipas Turki Alalshikh, objektivi i Fury është një hakmarrje ndaj Oleksandr Usyk. Britaniku synon triologjinë ndaj ukrainasit, që e ka mundur në dy përballjet e mëparshme.
Nëse kjo sfidë nuk realizohet, atëherë do të zhvillohet një përballje tërësisht britanike mes Fury dhe Anthony Joshua. Një sfidë që me shumë gjasa do të zhvillohet në stadiumin “Wembley”.
Fury njoftoi se ishte tërhequr nga boksi në janar të këtij viti, një muaj pas humbjes së tij me vendim unanim ndaj Usyk në ndeshjen e dytë të peshave të rënda. 36-vjeçari që atëherë ka paralajmëruar një rikthim duke postuar pamje të tij në palestër së bashku me trajnerin SugarHill Steward.
“Me kë do të preferoja të luftoja tani? Me Usyk. Dua hakmarrjen time në Angli, kjo është e gjitha që dua“, tha Fury për Boxing News.
“Dua një fitore të drejtë dhe nuk besoj se kam marrë një rezultat të drejtë dy herët e fundit që jam ndeshur me të. Nuk e di çfarë do të duhet të bëj, sepse nuk mund ta lë të varet nga një vendim”, tha Fury.
“Kjo është ajo që dua, por nëse nuk e marr atë, atëherë do të jetë Anthony Joshua, ndeshja më e madhe britanike e boksit që do të ndodhë ndonjëherë”, shtoi ish-kampioni i botës.
“Kjo sfidë me Joshua do të thyente të gjitha rekordet. Do të shiteshin 100,000 bileta në Wembley brenda një ore dhe është një duel që mendoj se mund të ndodhë, nëse vendos të kthehem dhe marrëveshja të jetë e drejtë“, tha Fury.







