Trajneri i ri kuqezi Rolando Maran ka sjellë ndryshime në atmosferë dhe mënyrën e lojës, duke preferuar një stil ultra-ofensiv që pritet të ndikojë edhe te sulmuesit e ekipit. Myrto Uzuni foli në konferencën e sotme për shtyp edhe për të ardhmen e tij mes Amerikës dhe Europës, si dhe një ofertë të rëndësishme që ka qenë shumë pranë realizimit në janar.
Ai theksoi se konkurrenca për vendet në formacionin kuqezi është e hapur dhe se të gjithë kanë mundësi të tregojnë veten në kombëtare. Në fund, ai nënvizon objektivat e qarta të ekipit: vendi i parë në “Nations League” dhe kualifikimi në Europian.
Si ka qenë ky takimi i parë me trajnerin e ri dhe çfarë ka ndryshuar në atmosferë?
Normalisht, kur ka staf të ri,ndryshon edhe sistemi. Trajneri i ri preferon të luajë ultra-ofensiv, edhe siç ka ndodhur më përpara, sulmuesit e tij kanë shënuar gjithmonë gola.
Ka pasur zëra në mediet sportive për një transferim tuajin në Turqi. Të pëlqen të qëndrosh në Amerikë apo mendon një rikthim në Europë? Çfarë do të ndodhë me të ardhmen tënde?
Normalisht unë kam kontratë me ekipin e Austin. Kam pasur një ofertë shumë të mirë në janar, ka qenë thuajse e mbyllur si transfertë, por në momentet e fundit u prish sepse klubi i Austin nuk kishte shumë prurje në ekip.
A mendon që me ardhjen e trajnerit të ri fillon një cikël i ri dhe vendet në formacion janë të hapura?
Po, normalisht secili do ta tregojë veten, të gjithë lojtarët kanë kualitet, të gjithë mund të luajnë titullarë në ekipin kombëtar pasi janë lojtarët më të mirë të Shqipërisë. Edhe siç e thashë, të gjithë kanë mundësinë për të luajtur titullarë.
A mendon se do të jetë ky cikël i ri për ty, individualisht, që të rikthehesh në ekipin kombëtar si ai protagonisti që ke qenë ndoshta më përpara?
I uroj shumë suksese trajnerit Sylvinho. Kemi bërë sukses me atë trajner. Për sa i përket trajnerit të ri, siç e thashë, në qoftë se ti e sheh eksperiencën ku ka qenë si trajner, sulmuesit e tij kanë shënuar shumë gola. Uroj që të ndodhë kjo gjë me të edhe në kombëtare.
Trajneri i ri ka objektiva, po them vendi i parë në Ligën e Kombeve dhe kualifikimi në Europian. A i kanë dhe lojtarët të njëjtat qëllime?
Kur luan për ekipin kombëtar, gjithmonë ke qëllime, pasi po luan për kombin. Edhe ne duam që të dalim të parët në ‘Nations League’, normalisht të kualifikohemi në Europianin. Këto janë qëllime që na shtyjnë përpara. Në qoftë se një lojtar nuk ka atë urinë edhe dëshirën për të luajtur në Europian apo për të fituar, atëherë nuk është i mirëpritur në ekipin kombëtar.







