Vetëm një provë e realizuar, Ertjan Kofsha i pari në shkëputje por pa rezultat në dygarësh në Botëror në Baterinë C

9 Tetor 2025
8:19
Telesport
back button

Në Forde të Norvegjisë vazhdon Kampionati Botëror i Peshëngritjes, ku i fundit në pedanë për ngjyrat kuqezi është ngjitur i riu Ertjan Kofsha. Ai garoi në Baterinë C të peshës 94kg, ku nuk arriti dot të japë rezultat në dygarësh.

Nga 6 prova në dispozicion ai realizoi vetëm një. Në stilin e shkëputjes, Kofsha e nisi garën me 161kg, duke dështuar. Këtë peshë ai e ngre në përpjekjen e dytë, ndërsa në të tretën tenton 163kg, por pa sukses.

Gjithsesi, për momentin ai është i pari në këtë stil në Botëror, në pritje që të zhvillohen edhe Bateritë B dhe A. Në stilin e shtytjes, Kofsha nuk realizon dot asnjë provë, duke mos ngritur herën e parë 190kg e më pas dy herë 193kg.

Për pasojë, Kofsha nuk jep rezultat në këtë stil dhe në dygarësh, duke mos hyrë dot në renditjen e përgjithshme. Sipas Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, rezultatit 161kg i shtangistit kuqezi është rekord europian për peshën 94kg.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit