Völler “rilind” te Woltemade: “Të tilla krahasime më duken shumë qesharake”

23 Nëntor 2025
8:21
Alfred Lleshi
back button

Nick Woltemade po shfaqet si “9” që Gjermania kërkonte prej vitesh. Sulmuesi gjigant 1.98 m, tani te Newcastle, pas transferimit nga Stuttgart për 85 milionë euro, e ka shpërblyer besimin e Julian Nagelsmann.

Pas pesë ndeshjeve pa gol, madje i fishkëllyer, ai ka shënuar katër gola në tri ndeshjet e fundit me Gjermaninë: golin e fitores ndaj Irlandës së Veriut (0-1), një dopietë shpëtimtare kundër Luksemburgut (0-2) dhe një tjetër gol në 6-0 ndaj Sllovakisë, që vulosi kualifikimin në Botëror.

“Është kënaqësi të luaj për Gjermaninë dhe të shënoj. Shpresoj ta ruaj këtë nivel”, – tha ai. Krahasimet me Rudi Völler janë shtuar për shkak të ngjashmërisë fizike: “I kam parë, të tilla krahasime më duken shumë qesharake. Sportivisht është një nder, Rudi gjithmonë më mbështet”.

Völler vetë e ka “bekuar”: “Kënaqësi ta shohësh. Shënon, lidhet me lojën, është i çmuar”. Pas shpërthimit si golashënuesi më i mirë i Europianit U-21, Woltemade e quan vitin e fundit “të çmendur” dhe synon të vazhdojë rritjen drejt Botërorit 2026.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit