Interi eliminoi Barcelonën me një sukses epik, 4-3 në “San Siro”. Një rezultat që ka pak lidhje me logjikën, përveçse me atë të mrekullisë. Në Spanjë, shumë nuk e kanë pritur mirë, veçanërisht për disa vendime të arbitrit Marciniak.
Pas deklaratave të trajnerit Flick dhe të Eric García, edhe ish-trajneri i Arsenalit, Arsène Wenger, nga studiot e “BeIN Sports”, komentoi në mënyrë negative veçanërisht vendimin për të akorduar penalltinë, që e çoi përkohësisht Interin në avantazhin 2-0:
“Jam plotësisht kundër kësaj lloj penalltie. Dhe jam po ashtu plotësisht kundër përdorimit të VAR-it. Në shpejtësi normale, është një ndërhyrje e shkëlqyer dhe Cubarsí arrin i pari te topi”, – u shpreh legjenda franceze e trajningut.
Më pas, për Lautaro Martínez: “Shiko çfarë bën, ai anohet drejt tij (Cubarsít). Po e kërkon penalltinë. E di që nuk do të shënojë, sepse e ndien që ai është aty. Për mua, arbitri në këtë situatë tregon se nuk ka marrë vendimin e duhur”.







