Xhaka: Asgjë nuk funksionoi për ne, mëkat që na ndodhi pikërisht në finalen e Ligës së Europës

23 Maj 2024
10:49
Alfred Lleshi
back button

Ish-mesfushori i Arsenalit, Granit Xhaka, pothuajse është rishpikur këtë sezon, i respektuar po aq për atributet e tij mentale dhe drejtuese, po aq sa edhe për aftësitë e organizimit të lojës. Megjithatë, ai ka qenë më poshtë standardit të tij të lartë të gjithë sezonit, në finalen e Dublinit. Në fakt, krejt skuadra e Xabi Alonos stonoi, ishte një mbrëmje e errët për të.

Xhaka gaboi disa pasime përpara, në kohën shtesë të pjesës së parë goditi jashtë, paksa në mënyrë të dëshpëruar, kur pasimi do të ishte opsioni më i mirë dhe më i zgjuar. Plus, metoda e tij joortodokse e ndërhyrjes ndaj Ademola Lookman te goli i dytë i nigerianit nuk funksionoi saktësisht.

Vijat që rrudhosin ballin e tij pikturojnë tablonë e një lojtari që nuk e kontrollon më plotësisht narrativën e krejt ndeshjes. Në fjalët e tij pas finales së Ligës së Europës, që solli edhe humbjen e parë sezonale, pas 51 ndeshjesh radhazi të pamposhtur, kishte patjetër dëshpërim:

“Për fat të keq ne sonte humbëm një finale të rëndësishme, e kishim thënë se do të ishte një ndeshje e vështirë. Është mëkat i madh që gjërat nuk funksionuan te ne pikërisht në këtë finale. Deri në këtë ndeshje kishim lënë përshtypje shumë të mira. Fakti që nuk ishim në gjendje të bënim atë që zakonisht bëjmë aq mirë është pjesë e lojës së futbollit, duhet ta pranojmë realitetin.

Kam pak fjalë për të thënë, Atalanta e meritoi të fitonte, sepse luajti shumë mirë. Duhet të shohim përpara, sepse kemi një tjetër finale për ta luajtur (atë të Kupës së Gjermanisë). Asgjë nuk funksionoi për ne këtë mbrëmje. Është mëkat që na ndodhi pikërisht në finalen e Ligës së Europës, por duhet të shohim përpara”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit