Sot në mbrëmje, ora 18:30, në sheshin Skënderbej do të bëhet prezantimi i skuadrave dhe çiklistëve pjesëmarrës në edicionin nr.108 të Xhiros së Italisë. Ky turne do të nisë këtë vit nga Shqipëria, ku do të zhvillohen 3 etapat e para.
Edhe pse etapa e parë do të nisë nga Durrësi ditën e premte (Durrës-Elbasan-Tiranë, 160km e gjatë), prezantimi do të kryhet në kryeqytet, në sheshin kryesor. Një event që pritet të mbledhë mijëra dashamirës të këtij sporti dhe jo vetëm.
Shqipëria ka kohë që përgatitet për këtë event të madh, një nga më të rëndësishmit në botë në sportin e biçikletës. 180 garues do të ngjiten në skenë duke përfaqësuar skuadrat e tyre, ndaj pritet një atmosferë elektrizuese.
Siç dihet, në vendin tonë do të zhvillohen tri etapa, ku ajo e dytë do të zhvillohet në kryeqytet, një kronometër individual (13.7km e gjatë). Ndërsa etapa e tretë do të jetë në Vlorë, teksa do të garohet përgjatë bregdetit.







