Zanetti kujton Papa Francesco: E zhduku distancën mes njerëzve, dukej si ‘njëri prej nesh’…

22 Prill 2025
8:35
Alfred Lleshi
back button

Në kujtim të Papa Francesco, “Gazzetta dello Sport” intervistoi ikonën e Interit, sot zv.president i klubit, Javier Zanetti: “Mendimi i parë pas ndarjes nga jeta e Bergoglios? Mbylla sytë dhe mendova për takimin tonë të parë në Vatikan, ku ishin edhe bashkëshortja me fëmijët e mi. Ishte një emocion i pashpjegueshëm; u gjenda përballë një personi të përulur, të hapur, shumë miqësor. Një njeri i thjeshtë që më tregoi për kohën kur luante basketboll dhe marrëdhënien e tij me sportin. Menjëherë krijuam një lidhje të rëndësishme. I dhurova një fanellë të Interit dhe nisëm të flisnim për Kupat e Botës që kisha luajtur me Argjentinën”.

Çfarë ju kërkoi?
Të realizoja diçka kaq të madhe sa të bashkonte fetë, duke mbledhur kampionë dhe yje nga e gjithë bota. E pranova menjëherë, sigurisht me shumë krenari. U vura në dispozicion për ta bërë realitet këtë ide përmes fondacionit tim, për të cilin kishim folur gjatë. Në fund, ajo ndeshje u transmetua në televizion në më shumë se 20 vende. Ishin të gjithë: Del Piero, Totti, Valderrama, Maradona, Simeone. Ishte një ngjarje e madhe. Jo vetëm për ndeshjen, por edhe për mesazhin e bashkimit që përcolli në të gjithë botën.

Çfarë ka përfaqësuar Bergoglio për ju argjentinasit?
Ishte një pikë referimi. E bëri Kishën më të thjeshtë, më pranë të gjithëve. Ende e kujtoj fjalimin e tij të parë, kur në fund të Engjëllit tha: Të dielë të mbarë dhe një drekë të mirë! E zhduku distancën. Papa Francesco ka qenë mbi të gjitha përulësi dhe vizion.

Cila ishte, në fund të fundit, cilësia e tij më e madhe?
Moskrijimi i asnjë lloj distance. Në të gjitha takimet që kemi pasur, më përcillte një ndjesi dashurie dhe afërsie. Flisnim të njëjtën gjuhë, dukej pothuajse… ‘një prej nesh’.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit