Zarf ngushëllimi, lojtarët e Flamurtarit largohen me “bonus” në vend të pagave

23 Dhjetor 2018
10:23
back button

Flamurtari u mund të premten nga Tirana në "Selman Stërmasi" dhe pas ndeshjes lojtarët patën një takim me drejtuesit e klubit. Takimi lidhej me problemet financiare, që nuk po i ndahen klubit vlonjat, edhe pse presidenti Sinan Idrizi këmbëngul se vonesat për pagat lidhen me burokracitë dhe faktin që klubi është ende gjysmagjel, i ndarë mes bashkisë dhe kompanive turke, që hedhin para thjesht si donatorë, në mungesë të një ndarje përfundimtare të roleve dhe zvarritjes së procesit të privatizimit.

Në vend që të marrin pagat, që nuk dihet kur do vijnë, lojtarët e Flamurtarit janë ngushëlluar me nga një bonus të vogël, si falënderim për sforcimin dhe durimin deri tani, si dhe dhuratë për festat. Bëhet fjalë për shifra nga 1000 deri në 3000 euro për çdo futbollist, shifra që nuk janë pjesë e pagës, por një bonus që e jep Idrizi, si zakonisht bujar për "premio" të tilla, ndoshta edhe si për të kërkuar falje për pagat e vonuara.

Natyrisht, nuk është një zgjidhje dhe as qetësi përfundimtare, sepse futbollistët kanë shifra më të mëdha për të marrë dhe në javët e ardhshme nuk përjashtohet që ndokush të kërkojë prishjen e kontratës me mirëkuptim, për të gjetur strehë aty ku paratë nuk ia vonojnë më shumë se 1 muaj.

Edhe pse është larg kreut, Flamurtari ka një skuadër shumë cilësore dhe që me pak përforcime mund të luftonte pa probleme për podiumin e Superiores, por natyrisht çështjet financiare dhe shkatërrimi i ekipit çdo sezon bëjnë që në Vlorë të mos shohin ditë të bardha, duke jetuar ende me nostalgjinë e viteve '80.

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit